Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi u takua me kryetaren e Lordëve të Parlamentit Britanik, Baroneshen DSouza
E Hënë, 29.10.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në krye të një delegacioni parlamentar, në kuadër të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, është pritur sot nga kryetarja e Lordëve të Parlamentit Britanik, Baronesha D'Souza, si dhe nga personalitete e deputetë të tjerë.
Duke e falënderuar Baroneshën D'Souza për mikpritjen, kryetari Krasniqi shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e gjithanshme që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës. Ai e njoftoi baroneshën për punën e Kuvendit të Kosovës, strukturën e tij dhe për objektivat që ai ka para vetes, si dhe bëri një përshkrim të zhvillimeve aktuale në vend. Kryetari i Kuvendit theksoi se Kosova, me mbështetjen ndërkombëtare, ka vendosur një rend të ri demokratik.
Baronesha D'Souza u interesua për rekomandimet që dalin nga Raporti i Studimit të Fizibilitetit, për zbatimin e Planit të Ahtisarit, reformat kushtetuese dhe zgjedhore, për proceset integruese të Kosovës etj.
Kryetari Krasniqi e njoftoi atë për proceset në të cilat ndodhet Kosova aktualisht, në kuadër të integrimeve evropiane, për Raportin e Studimit të Fizibilitetit dhe detyrat që dalin nga ai, veçanërisht për Kuvendin e Kosovës, në fushën e legjislacionit.
"Orientim strategjik i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO", tha kryeparlamentari Krasniqi.
Sa i përket reformave kushtetuese dhe zgjedhore, kryetari i Kuvendit të Kosovës shfaqi besimin që, me gjithë ngecjen e përkohshme të punës së komisioneve, do të arrihet që këto reforma të realizohen. Lidhur me Planin e Ahtisarit, kryetari Krasniqi tha se ai është duke e zbatuar, me përjashtim të veriut të Kosovës, ku vazhdon të ketë problemeve, si pasojë e ndërhyrjeve të autoriteteve të Beogradit. Ai u shpreh se serbët, si në veri të Kosovës, si në jug të saj, janë njësoj dhe janë të interesuar të integrohen në institucionet e Kosovës, por instrumentalizimi i tyre në veri nga ana e Beogradit, vazhdon të mbetet pengesë.
Takimi u zhvillua në atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ndërsa kryetari Krasniqi i bëri ftesë Baroneshës për vizitë në Kosovë.
Gjatë ditës së sotme, kryetari Krasniqi dhe delegacioni që ai udhëheq, është takuar edhe me deputetë të tjerë, anëtarë të të dy dhomave të parlamentit britanik, ndërsa gjatë orëve të pasdites do të takohet me kryetarin e Grupit Britanik në Unionin Ndër-parlamentar, Robert Walter dhe zyrtarë të tjerë të legjislativit britanik.
Kryeparlamentari Krasniqi po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar, me ftesë të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, kryetarit të Lordëve të Parlamentit Britanik dhe kryetarit të Grupit Britanik në Unionin Ndër-parlamentar, ndërsa shoqërohet nga nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe deputetët: Zenun Pajaziti, Vjosa Osmani dhe Jasmina Zhivkoviq.