Lajmet e fundit
GGD dhe NDI mbajtën një tryezë lidhur me buxhetimin në Perspektivën Gjinore
E Hënë, 29.10.2012
Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me Këshilltaret e katër Komunave të Kosovës, me mbështetje të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) më 27 dhe 28 tetor, diskutoi mbi procesin e hartimit buxhetor dhe buxhetimin në perspektivën gjinore.
Me qëllim të krijimit të një rrjeti bashkëpunues në mes grave deputete nga niveli qendror me ato të nivelit lokal, Grupi i Grave Deputete, në bashkëpunim me Institutin Demokratik Kombëtar, në qershor të këtij viti filluan një pilot projekt me katër komuna. Qëllimi kryesor i këtij projekti është që gratë në të dy nivelet të punojnë së bashku në arritje të barazisë gjinore me buxhetim në perspektivën gjinore.
Teuta Sahatqija, kryetare e Grupit të Grave Deputete tha se gratë në Kosovë po shndërrohen në faktorë të rëndësishëm në politikëbërjen e Kosovës. Grupi i Grave Deputete para një viti ka biseduar për këtë projekt, ndërsa me atë rast janë vendosur bazat e tij .
"Deri më tani kemi vizituar 21 komuna me qëllim të analizimit të problemeve. Së bashku me këshilltaret komunale kemi arritur impaktin më të madh në ndryshimin pozitiv të jetës së qytetarëve. Sigurimi i një Mamografi mobil që do të ndihmojë gratë në vendet rurale për përkujdesje shëndetësore, qasja në drejtësi dhe projekti i fuqizimit ekonomik janë disa nga iniciativat që ky grup ka ndërmarrë për përmirësim të përgjithshëm të mirëqenies së gruas dhe shoqërisë në përgjithësi, theksoi ajo.
"Ne duhet të jemi të pajisura edhe me dije profesionale për fuqizim ekonomik të gruas, kjo nuk i bën nder vetëm gruas por tërë shoqërisë. Si gra të zgjedhura prej popullit, këtë ia kemi borxh popullit tonë", thanë gratë nga kuvendet komunale të përzgjedhura për këtë projekt.
Buxhetimi në perspektivën gjinore është një mjet që përdoret për të avancuar barazinë gjinore. Ky e bën qeverinë më transparente dhe më efikase se si shpenzohet buxheti i shtetit, po ashtu zvogëlon korrupsionin, si dhe mundëson shënjestrimin e drejtë të fondeve për mirëqenie të qytetarëve.
Po ashtu, u diskutua edhe për procesin e buxhetit të Kosovës, hartimin e buxhetit, ndarjen e buxhetit mes sektorëve dhe prioritetet e qeverisë në ndarjen e fondeve.
Është me rëndësi të dihet se buxhetimi në perspektiva gjinore nuk ka të bëjë me buxhet të veçantë për gra, por është një analizë e buxhetit aktual për të rishikuar se a ka hapësirë që në atë buxhet të promovohet barazia gjinore, ishte një ndër konkluzionet e këtij diskutimi.
"Buxheti është deklaratë e vlerave ku qeveria tregon dhe alokon mjete në prioritete për shoqëri, qeveria këtu duhet të konsideroj se çfarë është prioritet për qytetarët e saj", tha Alyson Kozma, nga Instituti Demokratik Kombëtar.
Në ditën e dytë të punimeve Gratë deputete dhe asambleistet kanë përpiluar planin e aksionit për iniciativat e tyre, hapat e mëtutjeshëm për plasimin e çështjeve të tyre gjatë përpilimit te buxhetit, qoftë në nivelin lokal,qoftë në atë qendror. Për me tej, iniciativat e grupeve asambleiste përfshijnë fuqizimin e gruas në ekonomi, siç është revitalizimi i Çarshisë së madhe në Gjakovë ose hapja e zyrës për fuqizimin e grave në biznes në Gjilan, por edhe iniciativa për mirëqenie shëndetësore në Vushtrri.
NDI punon në Kosovë që nga viti 1999 drejt ndërtimit të institucioneve dhe qeverisjes demokratike dhe transparente. Programet e NDI në Kosovë përfshijnë fuqizimin e legjislativit, zhvillimin e partive politike dhe pjesëmarrjen qytetare dhe në pjesë të madhe financohen nga Populli Amerikan përmes Agjensionit të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).