Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi u nis për vizitë në Mbretërinë e Bashkuar
E Diel, 28.10.2012
Me ftesë të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve (Speaker of House of Commons), kryetarit të Lordëve (Lord Speaker) të Parlamentit Britanik dhe kryetarit të Grupit Britanik në Unionin Ndër-parlamentar, kryetari i Kuvendit të Kosovës ,dr. Jakup Krasniqi, në krye të një delegacioni nga Kuvendi i Kosovës, nga 29 tetor deri më 1 nëntor 2012, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, si mysafir i Grupit Britanik në Unionin Ndër-parlamentar.
Në këtë vizitë, kryetari i Kuvendit do të jetë i shoqëruar nga nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe deputetët: Zenun Pajaziti, Vjosa Osmani dhe Jasmina Zhivkoviq.
Gjatë kësaj vizite në Mbretërinë e Bashkuar, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe delegacioni, të cilit i prin, do zhvillojë takime me: Baroneshen D'Souza, kryetare e Lordëve (Lord Speaker) të Parlamentit Britanik, z. John Bercow, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve (Speaker of House of Commons), z. David Lidington, ministër për Evropë, si dhe me z. Robert Walter, krytar i Grupit Britanik në Unionin Ndër-parlamentar.
Delegacioni parlamentar i Kosovës do të takohet gjithashtu edhe me anëtarë tjerë të komisioneve të ndryshme parlamentare të Parlamentit Britanik të të dy dhomave. Një takim të veçantë, ndërkaq, do ta zhvillojë edhe me kryetaren e Kuvendit të Londrës, znj. Jennette Armold.