Lajmet e fundit
U bë dorëzimi i Pakos së Shërbimit Hulumtues Parlamentar të NDI-së te Drejtoria për Hulumtime, Bibliotekë dhe Arkiv
E Mërkure, 24.10.2012
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi, ka pritur në takim drejtorin e Programit Legjislativ të Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) "Mbështetje Kuvendit të Kosovës", Alexander Chavarria, i cili ka dorëzuar pakon më hulumtimet legjislative që ka ofruar Shërbimi Hulumtues Parlamentare (ShHP) i NDI-së, për deputetët dhe trupat e Kuvendit.
ShHP ishte krijuar në vitin 2010, më iniciativën e Kuvendit të Kosovës dhe më mbështetjen e NDI-së. Ky shërbim ka përfunduar aktivitetin më themelimin në kuadër të Administratës së Kuvendit të Kosovës të Drejtorisë për Hulumtime Legjislative Bibliotekë dhe Arkiv, që është funksionalizuar nga muaji fillimi i muajit tetor 2012.
Chavarria theksoi se është shume i kënaqur që Kuvendi ka themeluar këtë Drejtori për themelimin e së cilës NDI ka punuar shumë dhe njëherësh në emër të NDI-së ofroi mbështetjen e vazhdueshme për ngritjen dhe trajnimin e zyrtarëve të rinj të saj, me përvojën më të mirë që do të bartet nga ekspertët e hulumtimeve legjislative të Kongresit të SHBA-së.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Krasniqi, falënderoi z. Chavarria dhe NDI-në për mbështetjen e vazhdueshme që NDI-ja ka ofruar dhe që po ofron në fuqizimin e kapaciteteve të Administratës së Kuvendit. Dorëzimin e sotëm të Pakos së ShHP-së dhe vetë krijimin e Drejtorisë për Hulumtime, sekretari Krasniqi e konsideroi arritje të përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe NDI-së, që qëllim kryesor ka ofrimin e mbështetjes sa më profesionale që është e mundur për organet dhe deputetët e Kuvendit.
Vendimi për themelimin e Drejtorisë për Hulumtime Legjislative, Bibliotekë dhe Arkiv, është marrë nga Kryesia e Kuvendit më 18 prill 2012, kurse nga 1 tetori 2012 është funksionale dhe përbehet nga Drejtori i Drejtorisë, pesë zyrtarë për hulumtime legjislative, një zyrtar për bibliotekë dhe një zyrtar për arkiv.