Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 23.10.2012




Projektligji për punimet nga metalet e çmuara ishte temë e dëgjimit të sotëm publik, të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës. Gjatë debatit, të cilin e kryesoi Zenun Pajaziti, kryetar i komisionit, fillimisht u fol për rëndësinë që ka miratimi i këtij Projektligji. Në vijim, Pajaziti tha se shqyrtimi i këtij projektligji është në fazën ku palët e interesuara mund të japin vërejtjet dhe propozimet konkrete, të cilat do të jenë të dobishme për punën e mëtejme gjatë shqyrtimit të Projektligjit. Duke u njohur me opinionet e juaja, tha në vijim ai, ne arrijmë të dimë se sa është e njohur materia që e rregullon ky projektligj.

Në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), si sponsorizuese e këtij projektligji, foli Teuta Luboteni, këshilltare e ministres së MTI-së. Ky ligj tha ajo, është bazuar në nevojën institucionale për ngritjen e konkurrencës në tregun vendor dhe të jashtëm dhe eliminimin e barrierave të mundshme tregtare. Duke folur për qëllimin e këtij projektligji, Luboteni po ashtu tha se ai ka për qëllim edhe: forcimin e kapaciteteve administrative në kontekst të ngritjes dhe funksionalizimit të mekanizmave të kontrollit të cilësisë së punimeve nga metalet e çmuara në qarkullim publik dhe mbrojtjen e konsumatorit. Duke folur për dispozitat ligjore që përmban ky projektligj, Luboteni tha se ai përbëhet 33 nene. Në këto dispozita, tha në vijim ajo, janë të përcaktuara detyrat dhe përgjegjësitë e laboratorit për fushën e punimeve nga metalet e çmuara, kërkesat teknike për punimet, shënjimin me shenjë shtetërore, mbikëqyrjen metrologjike, përgjegjësitë e Inspektoratit të Metrologjisë e të tjera.

Opinionet e tyre për këtë projektligj i shprehën edhe përfaqësuesit e Shoqatës së anëtarëve dhe argjendarëve të Kosovës, përkatësisht, kryetari i tyre, Enver Pakashtica. Ai fillimisht bëri vërejtje se rekomandimet e tyre të paraqitura në grupin punues, nuk janë të përfshira në draftin final të projektligjit. Të njëjtat rekomandime, tha në vijim Pakashtica, do t'i paraqesim edhe sot, e të cilat kanë të bëjnë me pikën 1.15 të nenit katër. Kjo pikë tha në vijim ai, i referohet metodës statistikore, e paraparë në dispozita të projektligjit. Sipas tij, modeli i aplikimit të kësaj metode duhet të jetë i ngjashëm me shtetet siç janë Turqia dhe Italia, shtete këto të cilat njihen si prodhuesit kryesorë të arit të arit në Evropë. Ai paraqiti vërejtje edhe në disa dispozita të tjera të projejektligjit, veçanërisht në ato që kanë të bëjënë me vulën shtetërore në prodhimet e arit dhe të argjendit.

Për këtë projektligj, rekomandimet i paraqiti edhe përfaqësuesi i INDEP-it, Dardan Abazi. Sipas tij, projektligji duhet të përmbajë nocione më të qarta.

Përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, Hivzi Dranidella, ndërkaq, u angazhua që projektligji të jetë sa më i dobishëm për komunitetin e këtij biznesi. Ai foli për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të komisionit, MTI-së dhe Shoqatës së anëtarëve dhe argjendarëve të Kosovës.

Në fund të debatit, përfaqësuesit e MTI-së dhe anëtarët e komisionit u shprehën të gatshëm për bashkëpunim të mëtutjeshëm me të gjithë faktorët relevant që do të ndikonin në amenadmentimin e një projektligji sa më cilësor të kësaj fushe.

 

 Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...