Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 23.10.2012
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Zenun Pajaziti, shqyrtoi ankesën e Trupës inspektuese "KPU inspek", e cila pretendon se i është bërë padrejtësi nga ana e MTI-së për marrje të autorizimit për inspektimin e cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës.
Lidhur me ankesën e kësaj Trupe inspektuese, sqarimet i bëri përfaqësuesi i MTI-së, përkatësisht, drejtori i Drejtorisë së Akreditimit, Ibush Luzha. Ai me këtë rast njoftoi se KPU inspekt, ndonëse ka qenë e akredituar nga drejtoria përkatëse, nuk i ka plotësuar kriteret e shpalljes publike për të vijuar së ushtruari veprimtarinë e deritashme për inspektimin e cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës. Drejtori Luzha vuri në dukje se Trupës inspektuese "KPU inspekt", komisioni verifikues i ka konstatuar mungesën e dy dokumenteve, të cilat kanë qenë të kërkuara sipas shpalljes publike: çmimoren e shërbimeve dhe garancionin bankar në vlerë prej 20.000, 00 euro.
Pas kësaj, Luzha foli edhe për cilësinë e naftës dhe derivateve të saj, për të cilat tha se ato janë të cilësisë së kënaqshme dhe të përafërta me standardet e përcaktuara nga MTI-ja. Këtë pohim, Luzha e ilustroi me faktin se nga 500 mostra testimi, vetëm 37 nga ato nuk kanë qenë në kundërshtim me standardet e vendosura.
Po ashtu, në këtë mbledhje, komisioni miratoi në parim edhe Projektligjin për investimet e huaja. Lidhur me këtë projektligj, komisioni formoi edhe grupin punues për amendamentimin dhe trajtimin e mëtutjeshëm të këtij projektligji.