Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 22.10.2012
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr.Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, është vendosur që mbledhja e rregullt plenare e Kuvendit të mbahet më 1 nëntor.
Pas shterimit të pikave të përhershme të mbledhjeve të rregullta të Kuvendit: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët në këtë seancë do të votojnë për Projektligjin për ratifikimin e amendamenti të neneve të Marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar për reformën e Bordit Ekzekutiv dhe për Projektligjin për rritjen e kuotës së Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, të shqyrtuar në seancën e shkuar të Kuvendit. Për kalimin e tyre nevojitet të votojnë "për" dy të tretat e deputetëve të Kuvendit.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, Projektligji për kontrollin e duhanit, Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligji për sistemin e pagesave, si dhe Projektligji për zonat ekonomike. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për regjistrimin e pengut në regjistër për sendet e luajtshme.
Në të njëjtën seancë deputetët do të shqyrtojnë: Raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës, Raportin vjetor të Auditimit për vitin 2011, si dhe Rekomandimin e Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e tre anëtarëve në Bordin për Ankesa të Mediave.
Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar Propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me zgjatjen e periudhës kalimtare të lirimeve nga Tatimi i Vlerës së Shtuar deri më 31 dhjetor 2014. Kryesia e ka ngarkuar Komisionin për Buxhet dhe Financa ta shqyrtojë këtë propzim-vendim të Qeverisë dhe për Kuvendin të përgatisë raportin me rekomandime.
Kryesia është njoftuar për dorëheqjen e disa deputetëve të Kuvendit nga grupet parlamentare, disa prej të cilëve nuk e kanë njoftuar me shkrim kryetarin e Kuvendit, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit, prandaj është autorizuar Administrata e Kuvendit që të kërkojë nga deputetët të respektojnë rregullat kur largohen apo kur hyjnë në një grup parlamentar.