Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Hënë, 22.10.2012




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi një projektligj, një kërkesë, si dhe Projeksionin e buxhetit të RTK-së, me sqarime shtesë.

Komisioni shqyrtoi Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, me raportin me amendamente të Komisionit funksional, për të cilin, sqarime shtesë dhanë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Pasi u konstatua se shpenzimet që parasheh projektligji janë të përballueshme për buxhetin, komisioni e përkrahu atë dhe e procedoi tutje në Kuvend.

Në vazhdim, drejtori i përgjithshëm i Radio-Televizionit të Kosovës (RTK), Sulejman Shaqiri, shpalosi para komisionit të dhëna shtesë lidhur me shpenzimet dhe planifikimet e buxhetit të RTK-së për vitin 2012. Pasi që menaxhmenti i RTK-së, këto të dhëna i kishte sjellë edhe me shkrim, ashtu siç ishte kërkuar në mbledhjen e kaluar, komisioni përkrahu Projeksionin e buxhetit të RTK-së për periudhën tetor-dhjetor 2012.

Sa i përket kërkesës së Komisionit të Pavarur për Media (KPM) lidhur me kompensimin e anëtarëve të tij, komisioni u dakordua që ta shqyrtojë atë gjatë fazës së shqyrtimit të projekt-buxhetit për vitin 2013 dhe të dalë me rekomandime konkrete.

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa