Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Bujqësi ...

E Hënë, 22.10.2012




Në një mbledhje të përbashkët ndërmjet Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe të Komisionit për Buxhet dh Financa, u shqyrtuan projektligjet për dy parqet kombëtare: Projektligji për Parkun Kombëtar" Sharr" dhe të Parkut Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna".

Kryetari i Komisionit për Bujqësi..., Nait Hasani, i cili e kryesoi këtë mbledhje, fillimisht njoftoi për ecurinë e amendamentimit të këtyre projektligjeve. Duke vlerësuar se këto projektligje do të jenë në funksion të ruajtjes dhe menaxhimit më të mirë të pyjeve, Hasani tha se ato janë të harmonizuara edhe me ligjet e tjera. Këto projektligje, tha Hasani, respektojnë të drejtën e pronës private, e cila sipas këtyre projektligjeve do të mund të zhvillohet dhe rindërtohet edhe më tej. Për sa i përket kostos financiare për implementimin e këtyre projektligjeve, ai në vijim tha se ato janë të përballueshme për buxhetin e Qeverisë së Kosovës, ndërsa sqaroi se me këto projektligje nuk është paraparë zhvleftësimi i pronave. Përpos një numri të punësuarve prej 17 vetave, projektligji nuk parasheh shpenzim tjetër, tha Hasani.

Lidhur me koston financiare të këtyre projektligjeve, në emër të Komisionit për Buxhet, foli kryetarja e këtij komisioni, Safete Hadërgjonaj. Ajo duke mos komentuar shumë amendamentet e tjera përpos atyre që kanë të bëjnë me anën financiare, njoftoi se komisioni që ajo udhëheqë, ka qëndrim negativ ndaj këtyre projektligjeve për shkak të paqartësive buxhetore.

Gjatë debatit, anëtarët e të dyja komisioneve vunë në pah se lidhur me Projektligjin për Parkun Kombëtar" Sharr" dhe "Bjeshkët e Nemuna", Ministria e Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor ka qëndrim të kundërt me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural si dhe me Agjencionin e pyjeve të Kosovës, andaj, lidhur me këtë vendosën që të vijojnë diskutimet në mes të ministrive relevante dhe komisionit për harmonizimin e qëndrimeve.

 

Nga Komisioni për Bujqësi ...