Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Premte, 19.10.2012




Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, u diskutua për ngjarjet e 17 dhe 18 tetorit, gjatë dhe pas protestave të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje! .

Me këtë rast disa nga anëtarët e komisionit duke vlerësuar se Policia e Kosovës është keqpërdorur nga Ministria e Punëve të Brendshme, u tha se MPB-ja ka bërë tejkalim të kompetencave dhe kjo është në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Policinë. Ndërsa, u tha se këto ngjarje kanë dëmtuar imazhin e Kosovës.
Gjatë këtij takimi nuk munguan as kritikat drejtuar sjelljes së deputetëve të kësaj lëvizje gjatë zhvillimit të protestave të 17 tetorit.

Anëtarët e Komisionit u dakorduan që të kërkojnë dy raporte lidhur me këtë çështje, një nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërkaq, një tjetër raport nga Drejtoria e Policisë së Kosovës. Ndërsa, pas raportit nga këto dy institucione, anëtarët e komisionit do të japin vlerësimet e tyre përfundimtare për këtë çështje.

Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit formuan një grup pune për shqyrtimin e Projektligjit Nr. 04/L-160 për Agjencinë e Regjistrimit Civil, si dhe për Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit Nr. 03/L-172 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

 

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së