Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti folësin e mirënjohur, Eric Metaxas

E Enjte, 18.10.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot folësin e mirënjohur botëror, Eric Metaxas, i cili është autor i biografive të dy personaliteteve historike me integritet që lan gjurmë në jetën politike të popujve: "Një jetë me Integritet: William Villberfors dhe Fushata Historike për t'i dhënë Fund Skllavërisë" dhe "Bonhefer: Pastor, Martir, Profet, Spiun". Libri i parë i kushtohet parlamentarit anglez të dy shekujve më parë, që la gjurmë të pashlyeshme të parlamentarizmit dhe demokracisë, kurse libri i dytë i kushtohet atentatorit ndaj kryenazistit, Adolf Hitler.

Zotëri Metaxas ka shprehur kënaqësinë e jashtëzakonshme që ndodhet në Kosovë. Ai i ka vlerësuar lart qëndresën e popullit të Kosovës dhe sakrificat për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Duke i kuptuar vështirësitë e Kosovës , si pasojë e luftës dhe e shfrytëzimit për kohë të gjatë të pasurive të saj kombëtare, dhe për pasojë edhe prirjet për të abuzuar për pasurim të shpejtë, ka theksuar se shembulli i heronjve të librave të tij tregojnë se mund të udhëhiqet me karakter edhe në atmosferat e krijuara korruptive.

Kryeparlamentari Krasniqi, duke i uruar mirëseardhje në Kosovë dhe duke e vlerësuar punën shumëdimensionale të z. Metaxas, ka shprehur kënaqësinë për botimin edhe në shqip të librit për parlamentarin e njohur britanik, Villberfors. Ai është shprehur se libra të tillë i shërbejnë parlamentarëve të vendeve të ndryshme, sidomos të atyre që kalojnë nëpër faza të vështira të tranzicionit. Kreu i Kuvendit të Kosovës është shprehur se mëson nga shembujt e mirë të historisë, të cilët i shërbejnë në përmbushjen e aktiviteteve politike e kombëtare.

Metaxas është lauret i medaljes Canterbury për vitin 2011 i Fonaacionit Beket për Lirinë Fetare dhe folësi kryesor në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, në vitin 2012.

Kuvendi i Kosovës ka organizuar një koktej rasti për nder të z. Metaxas, profilin poliedrik të të cilit ua ka prezantuar deputetëve kryeparlamentari Krasniqi.

Zotëri Metaxis, ndërkaq, duke falënderuar kryeparlamentarin për pritjen tha:" Jam i impresionuar me lidershipin e këtij vendi". Ai tutje shtoi se një komb i ri sikurse Kosova, ka mundësi të mëdha përpara vetes, sepse mund të mësojë nga gabimet e të tjerëve. Metaxis, në vijim tha:" Në Amerikë ka njerëz që brohorasin për ju, ne duam të ju shohim të suksesshëm, dhe jo vetëm të suksesshëm, por duke lulëzuar".

Po sonte kryeparlamentari Krasniqi do të shtrojë darkë për mysafirin e çmuar. Në darkë janë ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti folësin e mirënjohur, Eric Metaxas