Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës
E Enjte, 18.10.2012
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të udhëhequr nga kryetari dr. Jakup Krasniqi (një pjesë të mbledhjes e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), miratoi rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Fillimisht, kryetari Krasniqi theksoi se sot në mëngjes policia ka hyrë në hapësirat e Kuvendit, pa e njoftuar kryetarin e Kuvendit. Ai tha se Kuvendi drejtohet nga kryetari dhe pa urdhrin e tij nuk guxon të hyjë asnjë njësit policor. Në këtë rrethana, ai kërkoi tërheqjen e policisë nga hapësirat e Kuvendit.
Pas një pauze njëorëshe, Kuvendi vazhdoi punimet sipas rendit të ditës. Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, pyetjeve të deputetëve iu përgjigjën kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Financave, Bedri Hamza.
Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me paralajmërimet për rritje të pagave të arsimtarëve, kryeministri Thaçi theksoi se rritja nuk do të ndodhë vetëm për arsimtarët, por edhe për kategoritë e tjera.
Propozim-rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, iu nënshtrua një debati të gjerë.
Në cilësi të sponsoruesit, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, para deputetëve prezantoi propozim-rezolutën e nënshkruar nga kryetarët e pesë grupeve parlamentare: PDK-së, AAK-së, KKR-së, SLS-së dhe Grupit 6 plus. Ai tha se rezoluta parasheh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, është në interes të zgjidhjes së problemeve ndërmjet tyre dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve. Grabovci tha se Kosova ka pikësynim zhvillimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit, si dhe dhënien e kontributit për realizimin e agjendës së BE-së për një rajon stabil, demokratik e të integruar në strukturat euro-atlantike. Në këtë funksion, ai tha se duhet parë edhe rezoluta për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila rikonfirmon parimin se ky proces midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë, vlerësohet dhe udhëhiqet nga BE-ja, ndërsa mbështetet fuqishëm nga SHBA-të.
"Meqenëse integrimi në BE është synim i përbashkët, intensifikimi i nivelit të bashkëpunimit me vendet e tjera dhe në këtë kuadër normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, mbetet qenësor për rajonin. Normalizimi i relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, mund të realizohet brenda kuadrit të frymës së integrimeve euro-atlantike", theksoi kryetari i GP të PDK-së. Ai tha se kjo rezolutë është e dobishme për Kosovën, pasi aty thuhet qartë se rezultatet duhet të jenë në përputhje me sovranitetin e Kosovës. Grabovci bëri të ditur se ajo është e harmonizuar ndërmjet liderëve politikë të Kosovës.
Duke prezantuar qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deputeti i kësaj partie, Lutfi Haziri, theksoi se LDK-ja kurdoherë ka promovuar dialogun si mjet tepër të rëndësishëm në funksion të paqes, stabilitetit politik dhe të zgjidhjes së problemeve. Sa i përket bisedimeve me Serbinë, Haziri tha se LDK-ja ka pasur qëndrim konsistent, duke kërkuar nga qeveria platformë, agjendë, transparencë dhe sjellje kushtetuese e të përgjegjshme në raportin me Kuvendin.
"Duke ndjekur parimet e veta, qëndrimin politik dhe duke pasur parasysh interesat e vendit, LDK-ja në parim përkrah dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dy shtete sovrane dhe të barabarta, si dhe rolin e BE-së dhe të SHBA-ve në këtë proces", u shpreh Haziri, duke shtuar se LDK-ja e konsideron qenësor ruajtjen e unitaritetit të institucioneve të Kosovës dhe konfirmon angazhimin e saj në drejtim të shtrirjes dhe të funksionalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj.
Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti, njëherësh nënkryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke u shprehur kundër rezolutës, theksoi se miratimi i saj do të thotë zhvlerësim i Kuvendit, sepse, siç tha ai, Kuvendi e ka në fuqi Rezolutën për kushtëzimin e çfarëdo negociatave me Serbinë nëpërmjet kthimit të të pagjeturve. Ai tha se marrëdhëniet me Serbinë mund të normalizohen vetëm në dy mënyra. "Ose duhet ta kompletojmë sovranitetin tonë, pra, shpërbërje e strukturave të paligjshme të Serbisë, marrja e kufijve, kontrollimi i integritetit territorial, bllokimi i mallrave serbe e kështu me radhë, e kjo do të thotë që shtetësia jonë për Serbinë bëhet një fakt i kryer dhe i paprekshëm, ose nënshtrim ndaj kërkesave të saj, akomodim i interesave të saj, që janë: pranimi i Serbisë si hise në veri, vendosja e fusnotës, marrëveshjet që Serbisë nuk ia cenojnë asaj Kushtetutën etj.", theksoi Konjufca.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Shala, tha se rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë qartëson para qytetarëve të Kosovës dhe opinionit ndërkombëtar tri çështje kryesore: definon qartë interesin e Kosovës për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, duke respektuar në plotëni Kushtetutën, përcakton Qeverinë e Kosovës si bartëse të kësaj ndërmarrjeje politike, e cila nuk ka si të mos klasifikohet si problematike, e mundimshme, e rrezikshme dhe rikonfirmon që Kuvendi i Kosovës është autoriteti suprem në përcjelljen e këtij procesi, prej fillimit e deri në fund, duke përfshirë edhe vendimmarrjen për rezultatin e këtyre bisedimeve. "Në fazën konkluduese, normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë gjithsesi nënkupton njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Këtë duhet ta themi fare qartë: Nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë pa njohjen e Kosovës si shtet në kufijtë e njohur nga Serbia", theksoi Shala.
Grupi Parlamentar për Kosovën e Re (KKR), nëpërmjet kryetares së tij, deputetes Myzejene Selmani, gjithashtu, i dha përkrahje kësaj rezolute. Ajo tha se institucionet janë të përkushtuara të respektojnë dhe plotësojnë kriteret e BE-së për raporte të mira fqinjësore. "Jemi për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke respektuar sovranitetin e shtetit, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm, me mbështetjen e SHBA-ve", theksoi deputetja Selmani.
Deputeti i SLS-së, Petar Miletiq, konfirmoi përkrahjen e grupit të tij parlamentar për vazhdimin e dialogut, duke konsideruar se kjo është e vetmja mënyrë për të vendosur paqe të qëndrueshme. Edhe pse negociatorët kanë arritur disa marrëveshje, ai tha se një pjesë e madhe e tyre nuk janë realizuar. Miletiq tha se çdo ndërprerje e dialogut është në dëm të qytetarëve.
Përkrahjen për rezolutën e paralajmëroi edhe Grupi 6 plus. Deputetja Myfera Shinik tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në dobi të Kosovës dhe të tërë regjionit, duke shfaqur shpresën që edhe Serbia do ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Në vazhdim, deputetë të tjerë shfaqën qëndrimet e tyre lidhur me përmbajtjen e rezolutës. Përderisa një pjesë e deputetëve të opozitës kërkonte mosmiratimin e saj, të tjerët shfaqën mendime dhe ofruan propozime për plotësim-ndryshime të rezolutës.
Në një adresim para deputetëve, kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq, tha se nuk është i etur për tu ulur në tavolinë me Serbinë dhe shtoi se nuk ka kërkim falje që e shlyen gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ai tha se pavarësia nuk është e vetëmjaftueshme dhe se Kosova duhet të integrohet në NATO dhe në BE.
"Normalizimi dhe fqinjësia e mirë janë kushte për integrim në NATO dhe BE për të gjitha shtetet. Partnerët tanë, që na ndihmuan për liri, pavarësi, tash në konsolidim e fuqizim të shtetit dhe përmbyllje të mbikëqyrjes së pavarësisë, e mbështesin fuqishëm këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë", theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se Kosova nuk rrezikohet në këtë proces.
"Kosova është e pavarur dhe sovrane, njëherë e përgjithmonë. Çdo kush që hap dilema, i ka të pajustifikueshme dhe te paqëndrueshme. Ju ftoj që të ecim bashkërisht me hapin tjetër, atë integrues", tha kryeministri Thaçi. Ai tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, e ndihmon edhe
njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë bërë atë. Kreu i ekzekutivit të vendit potencoi se kurrë, në asnjë rrethanë, askush nuk do ta të ngritë çështjen e statusit special apo të autonomisë për dikë në Kosovë. Kosova, theksoi Thaçi, është një, unike, e pandarë, me integritet territorial të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht.
Pas shterjes së diskutimeve, shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci, theksoi se pas konsultave ndërmjet përfaqësuesve të grupeve parlamentare, tekstit të propozim-rezolutës i janë bërë disa ndryshime. Gjatë kësaj kohe, para foltores, dy deputetë të Vetëvendosjes mbajtën një pankartë me mbishkrimin: Rezolutë e nënshtrimit ndaj Serbisë.
Më pas, u procedua me votimin e rezolutës dhe me 68 vota për, katër abstenime dhe tri kundër, Kuvendi e miratoi atë.
Me kërkesë të kryetarit të GP të PDK-së, Adem Grabovci, mbledhja u ndërpre, ndërsa vazhdon nesër në orën 10:00.