Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Mërkure, 17.10.2012




Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme plenare, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti) debatuan lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës, sipas kërkesës së deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama, mbështetur nga 7 deputetë të tjerë.

Fillimisht, deputetja Alma Lama në cilësinë e propozuesit të temës për debat në fjalën e saj tha se problemi i korrupsionit mbeti numër një sa i përket sundimit të ligjit në Kosovë. Ajo tha se praktikat korruptive janë të shprehura në prokurimin publik duke shpërblyer kompanitë të cilat janë të lidhura me Qeverinë.
Tutje, Lama përmendi një hulumtim të kryer nga gazeta "Preportr" duke e theksuar atë se partia në pushtet, PDK-ja, ka shpërblyer kompanitë të cilat e kanë ndihmuar fushatën e kësaj partie. "Preportr ka bërë një hulumtim mbi prokurimet publike që ka nxjerrë se 43 bizneset dhe personat fizikë që janë pronarë biznesesh e që në të dy fushatat e fundit elektorale financuan PDK-në, të drejtuar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë përfituar mbi 100 milionë euro tenderë publikë", theksoi deputetja Lama duke shtuar se kjo është një situatë alarmante.
Ajo më tej tha se sipas raportit të auditimit të financave të partive për fushatën e vitit 2009 dhe 2010, shuma a donacioneve që këto biznese dhanë për PDK-në është më shumë se 280 mijë euro, por nga fondet publike përfituan të gjitha së bashku, mbi 350 herë më shumë, tha Lama.
"Për 11 nga këto kompani u shkel edhe ligji dhe u dëmtua buxheti për t'i shpërblyer (konstatime të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm). Faktet e publikuara në gazetë do të duhej të kishin shërbyer si bazë për nisjen e hetimeve nga Ex-oficio nga ana e prokurorisë. Buxheti i Kosovës shfrytëzohet në kundërshtim me ligjin dhe po abuzohet me paranë publike. Dhe, kjo mënyrë e përdorimit të tenderëve publikë për financimin e fushatës nga ana e një partie politike ka edhe pasoja tjera të rënda; krijon pabarazi mes subjekteve politike, dhe në këtë mënyrë një parti e blen pushtetin me paratë e taksapaguesve; duke qenë se në tender publik mund të konkurrojnë edhe kompani të huaja, rrezikohet kompromentimi i pushtetit nga këto kompani dhe futja e kapitalit të huaj për qëllim të blerjes së pushtetit dhe rrjedhimisht edhe shtetit", tha Lama duke përfunduar se Kuvendi i Kosovës si organ mbikëqyrës i punës së qeverisë, ka përgjegjësi të madhe dhe duhet të luajë rolin për të cilin është mandatuar, duke kërkuar llogari nga ekzekutivi për mënyrën e shpenzimit të parasë publike.

Deputeti Ramiz Lladrovci, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se shpenzimi i parasë publike është i rregulluar me kornizën ligjore, e cila përcakton qartë mandatin dhe përgjegjësitë e organizatave buxhetore në menaxhimin e fondeve publike.
Ai theksoi se janë të krijuara institucionet dhe mekanizmat e kontrollit të rregullt të shpenzimeve publike, sikurse janë Auditimi i Brendshëm dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
Lladrovci sqaroi se Ministria e Financave bazuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike rregullisht paraqet në baza periodike raportin financiar të buxhetit të Kosovës dhe se Qeveria ka aprovuar edhe dokumentin e politikave të kontrollit të brendshëm të financave publike dhe procedurave për menaxhimin financiar dhe kontrollit. Duke përmendur disa nga dokumentet, të cilat janë aprovuar nga qeveria për këtë çështje, Lladrovci shtoi se raportet e auditimit për fushatat zgjedhore të vitit 2009 dhe 2010 janë vlerësuar si shembull se PDK ka deklaruar të gjitha shpenzimet e ndara, edhe për degë. "Raportet dëshmojnë se kemi pasqyruar listën e donatorëve dhe të gjitha të hyrat dhe kjo dëshmon se PDK-ja ka qenë maksimalisht transparente. Donacionet kanë qenë transparente të cilat janë bërë përmes llogarive bankare. "tha Lladrovci duke shtuar se të gjithë jemi të interesuar që shfrytëzimi i parasë publike të jetë sa më racional dhe i drejtë, ndërkaq debatin e iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje e quajti tendencioz, ndërsa përfundoi se Qeveria Thaçi ka respektuar të procedurat ligjore.

Ndërsa, deputeti Ali Sadriu duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, fillimisht iu referua raporteve të auditorit gjatë shqyrtimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Ai tha Kosova ka një progres në paraqitjen e formës së prezantimit të pasqyrave financiare, por jo në përfomancë. Duke përmendur shqyrtimin e 40 raporteve të auditimit, Sadriu tha se prej tyre, vetëm një rast është konstatuar se nuk ka pasur shkelje. Duke e vlerësuar gjendjen si alarmante, ai për shkelje të ligjit përmendi edhe shpenzimin e buxhetit prej 58 për qind, brenda dy muajve.
Sa i përket prokurimit publik Sadriu vlerësoi se në secilin raport të auditimit janë hasur shkelje, ndërkaq, shtoi se shqetësuese është edhe fakti se në vitin 2009 ka pas 3 milionë bartje të obligimeve prej vitit në vit, në vitin 2010 në 18 milionë, ndërsa në vitin 2011 janë afër 40 milionë euro të vitit paraprak, meqë lidhin kontrata pa zotim të mjeteve dhe u vazhdohen kontrata pa procedura.
Ai më tej tha se është koha e fundit t'i japim përkrahje auditorit dhe të konstatojmë bashkarisht se ka shkelje të institucioneve të pavarura dhe është koha e fundit që të ndalohet kjo dukuri.

Visar Ymeri, nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, fillimisht përmendi nënshkrimin e kontratës për shitjen e Distribucionit të KEK-ut, duke theksuar më tej se deputetët e VV janë ndaluar nga Policia e Kosovës, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme për të hyrë në objektin qeveritar. Ai tha se ata janë nxjerrë dhunshëm jashtë objektit dhe kjo sipas tij është në kundërshtim me ligjin. "Po të kishte pasur shtet të pavarur dhe gjyqësor nuk do të debatohej në Kuvend, mirëpo në mungesë të gjyqësorit të pavarur, duhet të debatojmë në Parlament". Më tej, Ymeri, duke e kritikuar qeverinë për mosprezencë në mbledhje të Kuvendit, tha se Qeveria e Kosovës ka shpërdorur mjetet publike dhe se kur flitet për transparencë të partive politike, PDK-ja është vlerësuar shumë poshtë, tha mes tjerash Ymeri.

Edhe shefi i grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, tha se fakti se ka pasur abuzim serioz me buxhetin e shtetit është i pamohueshëm dhe se ka pasur planifikim të gabueshëm të shpenzimit të mjeteve. Ai po ashtu përmendi edhe shpenzimet e qindra milionave euro për rrugë. "AAK mendon se pa u dënuar personat të cilët kanë vjedhur nuk ka gjasa të luftohet korrupsioni dhe secili person i cili ka vjedhur duhet të shkoj në burg", theksoi Gjini. Ndërkaq, Myzejene Selmani, shefe e Grupit Parlamentar të KKR-së tha se është në fuqi Ligji i prokurimit publik në mënyrë që llogaridhënia dhe transparenca për menaxhimin parasë publike të jetë sa më e mirë. Ajo kërkoi që të ketë zbatueshmëri të mirë të ligjit dhe institucionet përkatëse të jenë sa më të qarta gjatë dhënies së tenderëve. "Kur kemi dyshim për keqpërdorim, rruga është diku tjetër. Por, kemi të drejtë të kërkojmë se si po menaxhohet paraja publike", tha Selmani.

Në vijim të mbledhjes lidhur me protestën e sotme të Lëvizjes Vetëvendosje, foli edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. "Unë e kam dhënë urdhrin dhe është dashur të zbatohet edhe pak në mënyrë më rigoroze. Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese nuk do të lejohen as deputetët e Vetëvendosjes, as deputetët e Kuvendit, as Kryetari i Kuvendit, as Kryesia e Kuvendit, e as Presidenca, që të bllokojnë institucionet. Në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese do të sundoj rendi dhe ligji, jo anarkia.", tha ministri Rexhepi, pas së cilës deklaratë pasuan reagime të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa edhe nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, në cilësinë e kryesuesit të mbledhjes së Kuvendit, kërkoi nga deputetët dhe ministri Rexhepi që të respektohet gjuha parlamentare.

Më pas deputetët vazhduan me pikën e vetme të rendit të ditës për shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës. Gjatë diskutimit të tyre disa nga deputetët kritikuan Qeverinë e Kosovës për shpenzimin e buxhetit të Kosovës,
U theksua se ka pasur keqpërdorim të veturave zyrtare dhe telefonave, si dhe u përmenden shpenzimet e udhëtimeve zyrtare. Ndërkaq, u tha se ka keqpërdorime masive në proceset e tenderimeve. Ndërsa, disa nga deputetët vlerësuan se bazuar në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike, janë të lejuara kontributet dhe se të gjitha të gjeturat janë të njëjta për secilën parti.

Gjatë këtij debati parlamentar folën edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, si dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Ministri Hamza tha se ministria të cilën e përfaqëson ai është e obliguar të hartojë raporte tremujore, periodike, dhe raportet për ekzekutimin e buxhetit. "Ministria e Financave ka shkuar edhe me një hap tutje. Përveç raporteve periodike, tre mujore, publikohen edhe të gjitha raportet mujore në ueb faqen e MF-së.", tha Hamza, duke vazhduar me krahasimin e vitit 2007 me atë 2011 për shpenzimin e parasë publike. Ndërkaq, duke vlerësuar se ka një dyfishim të buxhetit, tha se Qeveria e Kosovës bazuar në këto të dhëna ka shënuar rritje të përfomancës dhe rritje të kapaciteteve të institucioneve të shtetit.
Hamza tha se ka përmirësim në menaxhimin e financave publike, dhe për këtë ai merr shembull pasqyrat vjetore financiare të ZAP-it, duke përmendur se derisa në vitin 2008 kanë qenë vetëm 4 raporte me opinion të pakualifikuar, në vitin 2011 janë 34 sosh.
Ndërsa, tha se çështja e kontratave nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Financave në bazë të ligjit dhe standardeve ndërkombëtare dhe se kjo çështje është në përgjegjësi të KRPP-së, e cila mbikëqyret nga Kuvendi.
Ministri Hamza përsëriti se ka rritje të të hyrave dhe ngritje të përfomances dhe të buxhetit dhe ka përmirësime në raportet e auditimit dhe se rritja e përmirësimit dhe e cilësisë së qeverisë do të vazhdohet edhe më tej.
Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, duke folur për
procesin e privatizimit të Distribucionit të KEK-ut tha se Parlamenti e ka aprovuar një proces të tillë. Ai mes tjerash tha se asnjë punëtor i KEDS-it nuk do të largohet nga puna për tre vjetët e ardhshme, ndërkaq tha se nga ky investim të gjitha do të shkojnë në favor të qytetarëve. "Kuvendi ka miratuar një proces të tillë. Ndërsa, për keqpërdorimet po flisni më gjuhë politike. Të gjithë ata që janë në dijeni të fakteve për keqpërdorime janë përgjegjës para ligjit nëse e fshehin një gjë të tillë.", tha Beqaj.

Pas diskutimit të deputetëve, inicuesja e këtij debati parlamentar
Alma Lama, lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës, paraqiti katër pika të mocionit:

1. Të kërkohet nga Auditori i Përgjithshëm të auditojë këta tenderë në mënyrë të detajuar;
2. Të kërkohet nga Organi shqyrtues i prokurimit raport në lidhje me rastet ku Auditori ka konstatuar shkelje në tenderët e mëposhtëm
3. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të iniciojë procedura ndëshkimore për subjektet të cilat nuk raportojnë me rregull
4. Brenda gjashtë muajsh Kuvendi të krijojë bazën ligjore e cila rregullon kontrollin financiar të partive politike (auditim i pavarur, i besueshëm dhe transparent). Ligji përkatës duhet të përcaktojë edhe trupin-institucionin që duhet të jetë bartës i këtij procesi.


Me 35 vota kundër, 28 pro dhe 2 abstenime, deputetët nuk mbështetën mocionin e deputetes Alma Lama, lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit