Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Egjipti
E Mërkure, 17.10.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim një delegacion nga Egjipti, në të cilin bënin pjesë: përfaqësues të mediave, botës akademike dhe shoqërisë civile.
Duke iu uruar mysafirëve egjiptianë mirëseardhje në Kosovë, kryetari Krasniqi i njoftoi ata me vizitën që kishte zhvilluar kohë më parë në Egjipt, përshtypjet nga takimet me personalitetet e larta egjiptiane, si dhe për premtimet që kishte marrë nga ta lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilën e konsideroi të një rëndësie të veçantë.
Kryeparlamentari Krasniqi tha se duhet përshëndetur dhe kultivuar frymën të re të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ai uroi delegacionin nga Egjipti për kalim të shpejtë të fazës së tranzicionit në vendin e tyre, duke potencuar të përbashkëtat ndërmjet Kosovës dhe Egjiptit.
Kryeparlamentari Krasniqi dha një pasqyrë të së kaluarës së Kosovës, të procesit të shtetbërjes së saj, ndërtimit të institucioneve demokratike dhe nxjerrjes së infrastrukturës juridike. Ai u ndal edhe në bashkëpunimin që Kuvendi kultivon me shoqërinë civile dhe mediat, në funksion të transparencës së këtij institucioni dhe qasjes së publikut në punën e tij.
Anëtarët e delegacionit egjiptian theksuan se arsyeja vizitës së tyre në Kosovë është njohja nga afër me përvojat e Kosovës gjatë fazës së tranzicionit, ndërsa shprehën përkushtimin për të ushtruar ndikimin e tyre te partitë politike në Egjipt, në mënyrë që njohja e pavarësisë së Kosovës të ndodhë sa më shpejtë.
Ata u interesuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe shprehën nevojën për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat.