Lajmet e fundit

Komisioni për Buxhet dhe Financa po qëndron për vizitë në Kroaci

E Mërkure, 17.10.2012




Në kuadër të vizitës studimore në Kroaci, Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka zhvilluar një takim me Komisionin homolog për Financa dhe Buxhetin Shtetëror të Republikës së Kroacisë, gjatë të cilit u vlerësua iniciativa për vënien e bashkëpunimit dhe kontakteve ndërmjet dy komisioneve, për të shkëmbyer përvojat dhe ekspertizën në fushat përkatëse që mbulojnë këto komisione. Në këtë takim u diskutua për rolin dhe përgjegjësinë që kanë dy komisionit në parlamentet respektive, sidomos për rolin e tyre në shqyrtimin, miratimin dhe mbikëqyrjen e buxhetit shtetëror.

Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj, vlerësoi përkrahjen dhe ndihmën që ka ofruar dhe po ofron shteti kroat në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës, nivelin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe nevojën për thellimin e këtij bashkëpunimi. Kryetarja foli për progresin që është arritur në Kosovë, për rolin e Kuvendit në hartimin e legjislacionit dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së, sidomos në fushën e reformës fiskale dhe financiare, por edhe në fushat e tjera. Në këtë drejtim u vlerësua e mirëseardhur përvoja e Kroacisë në kalimin e fazës së tranzicionit, deri në procesin e integrimit evropian, si një model i mirë edhe për Kosovën në proceset e konsolidimit të shtetit dhe plotësimit të standardeve në procesin integrues evropian, për të cilin ekziston një konsensus i gjerë politik dhe shoqëror.

Anëtarët e Komisionit për Financa dhe Buxhetin Shtetëror të Kuvendit të Kroacisë, njoftuan për proceset në të cilat ka kaluar dhe po kalon Kroacia në përshtatjen e legjislacionit me legjislacionin dhe standardet e BE-së, me qëllim të thithjes së fondeve për investime dhe për përmirësimin e kualitetit të prodhimeve vendore dhe rritjes së konkurrencës.

Gjatë takimit i bisedua edhe për çështjen e privatizimit, mënyrën e përcaktimit të buxhetit për agjencionet e pavarura, si dhe për raportet me Parlamentin gjatë procesit të raportimit të tyre. Po ashtu u vlerësua mjaft e dobishme dhe pranueshme nevoja që Kroacia dhe bizneset kroate edhe më tutje të rrisin interesin për investime në Kosovë.

Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës, kryetarja e komisionit, Hadergjonaj, në emër të komisionit ftoi kryetarin e komisionit homolog kroat dhe anëtarët tjerë për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Komisioni vazhdon takimet në Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Administratës Shtetërore të Kroacisë.