Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion të Shoqatës së të Verbërve të Kosovës
E Marte, 16.10.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion të Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, të drejtuar nga Mexhit Foniqi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës.
Përfaqësuesit e Shoqatës së të verbërve e kanë njoftuar kryeparlamentarin Krasniqi për gjendjen ekonomike dhe sociale të të verbërve të Kosovës dhe për angazhimet e Shoqatës për të bërë sa më shumë për përmirësim të gjendjes dhe për përkujdesje sa më të mirë për anëtarët e saj. Ata me këtë rast janë shprehur të kënaqur me Ligjin për të Verbrit, duke shfaqur optimizmin e tyre se me fillimin zbatimit të tij, gjatë vitit të ardhshëm, do të krijohen kushte më të mira për këtë kategori me nevoja të veçanta.
Në shenjë vlerësimi për mbështetjen e vazhdueshme për komunitetin e të verbërve të Kosovës dhe të shoqatës së tyre, e sidomos për kontributin e kreut të Kuvendit për miratimin, kohë më parë të Ligjit për të Verbrit , drejtori ekzekutiv i Shoqatës, Foniqi, i ka dorëzuar z. Krasniqi mirënjohjen e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës.
Kryeparlamentari Krasniqi, duke falënderuar për këtë mirënjohje, është shprehur se është obligim njerëzor mbështetja e kategorive me nevoja të veçanta. Ai është shprehur se për Ligjin për të Verbrit kanë merita të gjitha institucionet e vendit dhe se angazhimi i tij personal për miratimin e këtij ligji ka qenë në kuadër të detyrës në krye të legjislativit të vendit.
Duke shprehur keqardhje pse nuk ka pasur efekte të menjëhershme, Krasniqi është shprehur se shoqëria e Kosovës duhet të krijojë mundësi më të gjera për përkujdesje për të gjithë qytetarët, sidomos për kategoritë me nevoja të veçanta.