Lajmet e fundit

Komisioni për Integrime Evropiane priti sot ish -nën presidentin e KE-së, z. Günter Verheugen

E Hënë, 15.10.2012




Komisioni për Integrime Evropiane, i kryesuar nga kryetari Lutfi Haziri, priti sot ish - nën presidentin e KE-së, z. Günter Verheugen, me ç‘rast u bisedua për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Fillimisht, kryetari i komisionit Haziri, duke falënderuar z. Verheugen për vizitën e tij në Kosovë dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë shteti gjerman për Kosovën, foli për rolin dhe angazhimin e komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, duke theksuar më tej se Kosova ka marrë rekomandimin final për hapjen e marrëveshjes së Stabilizim -Asocimit, por ka edhe shumë punë për tu bërë drejt realizimit të këtij procesi.

Më tej, Haziri vlerësoi se Kosova është i vetmi vend i cili nuk ka qarkullim të lirë në BE, me limite të mëdha për popullatën e Kosovës, sa i përket të drejtave evropiane, dhe shtoi se Kosova nuk ka as marrëdhënie tregtare me BE-në.

Gjatë këtij takimi folën edhe anëtarët e komisionit: Alma Lama, Suzan Novobërdali, si dhe Albert Kinolli, duke theksuar se Parlamenti i Kosovës ka bërë punë të madhe për miratimin e ligjeve dhe harmonizimin e tyre me legjislacionin e BE-së

Me këtë rast u tha se në raport me BE-në, sfidë kryesore për vendin mbeten pesë shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën, duke shtuar më tej se Kosova është vrimë e zezë brenda Ballkanit Perëndimor.

Ish nën - presidenti i KE-së, z. Günter Verheugen, sa i përket çështjes së pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës tha se argumentet e këtyre shteteve nuk janë të qëndrueshme, ndërsa shtoi se në çështjet ku Kosova ka përparuar si shtet, po nënvlerësohet nga KE-ja. "Dëshiroj t'u jap kurajo që të vazhdoni me punën që jeni duke e bërë, sidomos me reformat", theksoi Verheugen, duke shtuar se çdo reformë që bëhet shikohet mirë nga BE-ja.

Ai më tej tha se masat të cilat i ndërmerr Kosova, nuk duhet të ndërmerren për t'i plotësuar kushtet e BE-së, por në radhë të parë duhet të bëhen për të mirën e shtetit tuaj.

Tutje, Verheugen shtoi se Kosova është në rrugë të duhur dhe të drejtë dhe përkundër gjitha vështirësive që dalin në këtë rrugë, duhet vazhduar me punën, tha ai.

Sa i përket bisedimeve me Serbinë që përmenden në Raportin e Progresit, Verheugen tha se ato duhet filluar, në mënyrë që të arrihet deri tek një marrëveshje bashkëpunimi dhe fqinjësi të mirë.

 

Komisioni për Integrime Evropiane priti sot ish -nën presidentin e KE-së, z. Günter Verheugen