Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi vizitoi Bordin e RTK-së
E Hënë, 15.10.2012
Në kuadër të kujdesit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për mbarëvajtjen e punëve në agjencionet dhe institucionet e pavarura, të zgjedhura nga Kuvendi, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, ka zhvilluar sot një vizitë në Bordin e Radio-Televizionit të Kosovës (RTK), gjatë të cilës është pritur nga anëtarët e tij.
Kryeparlamentari Krasniqi u interesua për angazhimet e këtij institucioni medial për t'i dhënë publikut informim sa më të drejtë dhe gjithëpërfshirës, pengesat eventuale që bordi mund të hasë gjatë zhvillimit të politikave të tij, si dhe për zhvillimet aktuale në RTK.
Kryetari i Bordit, Rrahman Paçarizi, bëri një përmbledhje të zhvillimeve në RTK dhe vuri në pah vështirësitë me të cilat Bordi dhe vetë radio-televizioni publik po përballen tash e disa vite. Paçarizi përmendi problemet financiare me të cilat po ballafaqohet ky institucion, djegien e fundit të një pjese të arkivit filmik, nevojën për gjetjen e një zgjidhje afatgjatë të financimit etj.
Duke e konsideruar këtë institucion pasuri publike, kryetari i Kuvendit, Krasniqi theksoi nevojën që RTK-ja të jetë një mekanizëm i fuqishëm i informimit të qytetarëve të vendit. Duke i uruar suksese Bordit dhe veçanërisht anëtarëve të rinj të tij, kryetari Krasniqi kërkoi nga ta kryerjen e obligimeve sipas dispozitave ligjore.