Lajmet e fundit
Nis punimet Konferenca e 81-të Rose Roth me temën Vendosja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe përmbushja e premtimit të integrimit euroatlantik
E Hënë, 15.10.2012
Në Sveti Stefan të Malit të Zi, organizuar nga Asambleja Parlamentare të NATO-s, në bashkëpunim me Parlamentin e Malit të Zi dhe i ndihmuar nga Qeveria zvicerane, të hënën ka filluar punimet Konferenca e 81-të Rose Roth me temën "Vendosja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe përmbushja e premtimit të integrimit euroatlantik".
Në këtë konferencë është duke marrë pjesë edhe delegacioni i përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës i kryesuar nga z. Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe z. Petar Miletiq, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Konferenca do t'i vazhdojë punimet më 16 dhe 17 tetor 2012, ku do të përfshihen gjashtë sesione me fokusim në situatën politike, ekonomike dhe atë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, po ashtu edhe në statusin e integrimit euroatlantik të rajonit. Ndër të tjera, pjesëmarrësit do të diskutojnë edhe për sigurinë e energjisë, sundimin e ligjit, perspektivat për Kosovën dhe perspektivat për mbrojtje të zgjuar rajonale.
Në sesionin e gjashtë të konferencës, ku temë e diskutimit do të jetë "e ardhmja dhe prania ndërkombëtare në Kosovë", z. Xhavit Haliti, si kryesues i delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, do t'u drejtohet pjesëmarrësve me një fjalë lidhur me këtë temë.