Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 15.10.2012




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit Arben Gashi, u shqyrtuan dhe u përkrahën propozimet për emërimin e anëtarëve të Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës.

U theksua se përzgjedhja e kandidatëve është bërë me kujdes nga Ministria e Drejtësisë. Përveç faktit që është respektuar përfaqësimi gjinor dhe etnik, u tha se kandidatët i takojnë një strukture profesionale.

Disa nga deputetët vlerësuan se pavarësisht se anëtarët e propozuar i plotësojnë kushtet të jenë pjesë e komisionit, meqë ky proces varet nga ministri i Drejtësisë, atëherë kjo konsiderohet ndërhyrje e ekzekutivit në tërë këtë proces.

Anëtarja e Komisionit, Albulena Haxhiu tha se në rrethana normale është dashur të hartohet një ligj që do të themelonte një shkollë të veçantë për këtë çështje. Shkolla do të kishte Këshillin Drejtues në përbërje të së cilës do të ishin Kryetari i Gjykatës Supreme, Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, dekani i Fakultetit të drejtësisë, si dhe drejtuesi i Odës së Avokatëve.

Më tej anëtarët e komisionit përkrahën edhe propozimin për anëtar të Këshillit në Komisionin për Ndihmë juridike falas të propozuar nga Ministria e Drejtësisë.

Tutje, anëtarët e komisionit përkrahën edhe raportin me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr. 04 /L-145 për Organet qeveritare për shoqërinë e informacionit, si dhe raportin me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr. 04/L-136 për regjistrimin e pengut në regjistër për sendet e luajtshme.

Përkrahje në parim nga anëtarët e komisionit e mori edhe Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, me ç‘rast u vlerësua se ligji është shumë i rëndësishëm dhe voluminoz.

Pikë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme ishte edhe Projektligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë, në pajtim me përfundimin e Kryesisë së Kuvendit nr. 04-P-105. Porse, kjo çështje është hequr nga rendi i ditës, meqë u theksua se fillimisht duhet të shqyrtohet në komisionin funksional.

Po ashtu, për shqyrtim në komisionin funksional do të kalojë edhe kërkesa e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës,nr. 6032, për interpretim të ligjit drejtuar Komisionit për Legjislacion. U theksua se Gjykata Supreme ka dhënë një vendim lidhur me këtë çështje.

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion