Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 15.10.2012




Në seancën e së mërkurës do të zhvillohet debat parlamentar lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës sipas kërkesës së deputetes Alma Lama, ndërsa të enjten në rendin e ditës do të jetë Rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e propozuar nga 5 grupe parlamentare. Do të shqyrtohen edhe disa projektligje


Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit,dr. Jakup Krasniqi, u përcaktua rendi i ditës së seancave të 17 dhe 18 tetorit të këtij viti. Në fakt, në mbledhjen e së mërkurës deputetët e Kuvendit do të zhvillojnë debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Alma Lama, lidhur me shpenzimin e fondeve publike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, në seancën e së enjtes pas pikave të rëndomta të seancave plenare: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, në rendin e ditës do të jetë shqyrtimi i Propozim Rezolutës për normalizimin e marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo rezolutë është propozuar nga 5 grupe parlamentare, përkatësisht PDK,AAK,KKR,SLS dhe Grupi 6 +.

Në vijim të seancës do të shqyrtohen Projektligji për ratifikimin e amendamentit të neneve të Marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar për reformën e Bordit Ekzekutiv,Projektligji për rritjen e kuotës së Republikës së Kosovës në Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërkaq në shqyrtim të parë do të jenë Projektligji për punimet nga metalet e çmuara, kurse në në shqyrtim të dytë Projektligji për shfuqizimin e neneve 37, 38 dhe 39, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës,si dhe Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit. Në vijim do të shqyrtohet Raporti i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2011.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit