Lajmet e fundit
Nga Komisioni për Bujqësi ...
E Hënë, 15.10.2012
Kryesuar nga, Nait Hasani, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Projektligjin e Agjencionit për menaxhimin e komplekseve memoriale.
Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë (MAPH), Dardan Gashi, i cili duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me këtë projektligj tha se Agjencioni për menaxhimin e komplekseve memoriale, duhet të funksionojë i pavarur dhe t'i përgjigjet Kuvendit të Kosovës. MAPH-ja, tha në vijim Gashi, këtë çështje e ka trajtuar në nivel departamenti, ndërkaq, sipas amendamenteve të propozuara me Projektligjin e ri për këtë Agjencion, Ministria do duhej të shpenzojë gjysmën e buxhetit të saj.
Se nën menaxhimin e kujt duhet të jetë ky Agjencion, shprehën mëdyshje edhe anëtarët e Komsionit.
Për anëtarin e Komisionit, Liburn Aliu (VV), kjo çështje nuk ishte e rëndësisë së madhe, sepse, sipas tij rëndësia qëndron në atë se si do të vendosen kriteret për komplekset dhe memorialet, të cilat do të gëzojnë mbrojtjen institucionale të menaxhuara nga Agjencioni.
Pas debateve, anëtarët e Komisionit dhe ministri Gashi u dakorduan që në Projektligjin e Agjencionit për menaxhimin e komplekseve memoriale, të parashihet qartë që ky Agjencion të jetë i pavarur dhe t'i përgjigjet Kuvendit të Kosovës. Ata po ashtu thanë se Kuvendi duhet ta bëjë edhe amendamentimin e këtij Projektligji.