Lajmet e fundit
Tryezë e Grupit të Grave Deputete me gratë e Dragashit, Prizrenit dhe Mamushës
E Premte, 12.10.2012
Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës dhe TOP Radio nga Gjakova, mbajti sot një tryezë në Dragash lidhur me fuqizimin e gruas në politikë. Në këtë tryezë, në të cilën morën pjesë gratë nga Dragashi, Prizreni dhe Mamusha , të pranishmeve iu foli kryetarja e Grupit të Grave Deputete znj. Teuta Sahatqija, e cila konstatoi se gjendja e gruas në Kosovë megjithë përmirësimet akoma është e rëndë. "Janë bërë avancime falë këmbëngulësisë së grave,por fatkeqësisht kur është fjala për këtë rajon pozita e gruas është shumë më e rëndë se në cilindo vend të Kosovës, dhe ju gratë nga Asambleja Komunale, nga arsimi, shoqëria civile etj., në bashkëpunim me ne, duhet ta ndryshoni këtë gjendje. Ju duhet të na ndihmoni që projekti për Ma-Mo të ketë sukses dhe të shfrytëzohet edhe nga gratë e Dragashit.Ju sikurse ne në Prishtinë duhet të bashkëpunoni me organizatat vendore dhe ndërkombëtare , për të përmisuar pozitën dhe vetë jetën e gruas , fëmijëve, të rinjve dhe qytetarëve tuaj", theksoi Teuta Sahatqija.
Aktivistja nga Dragashi, znj. Xhejrane, duke folur për gjendjen e rëndë në Dragash tha se këndej ka shumë pak të shkolluar, s'ka çerdhe fëmijësh, është vetëm një shkollë e mesme. Shkollimi është tepër i vështirë , sepse transporti publik drejt qendrave tjera është shumë i rrallë.Këtu është vetëm një mjek e madje as gjinekolog nuk ka. Për gjendjen në Dragash folën edhe Zenaida Elmazi, Luljeta Berisha, Vesna Rukiq etj. Kurse nga komuna e Mamushës foli asambleistja, znj. Sejlan Mazrek , e cila vlerësoi "Tani në komunën e Mamushës, gjërat kanë lëvizur për të mirë, sidomos në shkollimin e vajzave".