Lajmet e fundit
Shefi i Kabinetit të kryetarit, Hajrizi dhe Sekretari i Kuvendit, Krasniqi, pritën një delegacion të UNDP-së
E Premte, 12.10.2012
Shefi i Kabinetit të kryeparlamentarit Krasniqi, Mehmet Hajrizi dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, pritën sot në takim një delegacion të UNDP-së në Kosovë, të kryesuar nga zëvendësdrejtoresha Steliana Nedera.
Hajrizi dhe Krasniqi iu shprehën përfaqësuesve të UNDP-së falënderimet për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen që agjencitë e Kombeve të Bashkuara i kanë dhënë Kuvendit të Kosovës. Ata shprehën gatishmërinë dhe interesimin e tyre për të vazhduar punën e përbashkët, në funksion të avancimit të kapaciteteve të administratës dhe mbështetjes për deputetët.
Zëvendësdrejtoresha Nedera, shfaqi gatishmërinë për ta thelluar bashkëpunimin me Kuvendin, ndërsa në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e deritashëm në fushën e përfshirjes sociale, në emër të Ekipit Kosovar të Kombeve të Bashkuara (UNKT), shefit të Kabinetit të kryetarit dhe Sekretarit, ua ndau nga një mirënjohje.