Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 11.10.2012
Mbledhja e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, filloi me pikën e rendit të ditës koha për deklarime jashtë rendit të ditës. Pastaj seanca, një pjesë e së cilës u kryesua edhe nga nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, vazhdoi me pyetjet parlamentare, në të cilat u përgjigjën zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri Enver Hoxhaj.
Në vijim Kuvendi miratoi Raportin vjetor të performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2011, për të cilin debati kishte përfunduar në mbledhjen kaluar.
Interpelanca me ministrin Enver Hoxhaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-ës, lidhur me gjendjen në politikën e jashtme të Kosovës, ishte temë qendrore e seancës. Në emër të parashtruesit të interpelancës para deputetëve foli shefi i Grupit Parlamentar të LDK-ës, Ismet Beqiri. Ai u shpreh që gjendja në politiken e jashtme është degraduar dhe është karakterizuar me skandale të shumta, lidhur me njohjen ose mosnjohjen e Kosovës, siç ishte rasti me Malin, për të cilin kërkoi edhe përgjegjësi. Ai kërkoi sqarim edhe për njohjet nga Nigeria dhe Uganda. Z. Beqiri, shfaqi mendimin se politika e jashtme e Kosovës është e çakorduar dhe se nuk ka pasur lobim për anëtarësim ne Këshillin e Evropës. Në vazhdim ai foli edhe lidhur me disa shkelje ligjore me rastin e emërimit të ambasadorëve, duke theksuar se këto dobësi po ndikojnë në imazhin jo të mirë të Kosovës në rajon.
Duke iu drejtuar deputetëve, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa njohjet e saj janë të pandalshme, nga të katër anët e botës. Në vitin 2011, është hartuar strategjia shumë e koordinuar për procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Po punohet shumë edhe në lobim, që dëshmohet se janë vizituar vetëm gjatë këtij mandati 42 shtete, që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Brenda 7-8 muajve, Kosovën e kanë njohur 17 shtete, kuptohet me përkrahje edhe nga SHBA-ja. Anglia, Gjermania, Franca etj. Ai shprehu bindjen se numri i shteteve që do ta njohin Kosovës, do të jetë gjithnjë e më i madh. Sa i përket çështjes së shtetit Mali, ka ndodhur një keqkuptim tha ai, duke shprehur njëkohësisht edhe keqardhje për këtë. Duke ilustruar aktivitete e shumta të MPJ-së, ai tha se për një vit e gjysmë, janë arritur 105 marrëveshje bilaterale dhe multilaterale. Kosova, tha ai është edhe model i marrëdhënieve shumë të mira me shtete fqinje. Ndërsa, ditën e djeshme të pranimit të studimit të fizibilitetit, e vlerësoj si etapë të Kosovës evropiane. Z. Hoxhaj, foli edhe për objektivat tjera të MPJ-së, si edhe për punën e suksesshme të ambasadave të Kosovës, edhe në aspektin e ofrimit të shërbimeve për qytetarët tanë në botë.
Deputeti Zenun Pajaziti, duke folur në emër të GP të PDK-së vlerësoi fuqizimin e vazhdueshëm të pozicionit të Kosovës në marrëdhëniet me vendet e tjera dhe në afirmimin ndërkombëtar. Në këtë vështrim ai theksoi se është bërë një depërtim i jashtëzakonshëm në njohje nga shtete të botës, nëpërmjet një strategjie të menduar mirë. Ai tha së tashmë është përmirësuar mjaft edhe imazhi i Kosovës në botë, e cila trajtohet si edhe shtetet e tjera. Ndër sukseset e mëdha të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ai përmendi avancimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet fqinje dhe më gjerë, duke e ilustruar këtë edhe me të dhënën se që nga viti 2010, MPJ ka dyfishuar marrëveshjet e bashkëpunimit me shtetet e ndryshme.
Në emër të GP të LDK-së, mori pastaj fjalën deputeti Skënder Hyseni, i cili tha se megjithë faktin që kupton ndërlikueshmërinë e procesit të lobimit e njohjeve, politika e jashtme është më shumë se kaq. Ai në vazhdim tha se megjithëse ka vështirësi në procesin e njohjeve nuk duhet të ketë zmbrapsje dhe nuk bën të lejohen agjenda biznesore në këtë sferë. MPJ duhet të ketë një plan të qartë veprimi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë aspekt ai shtroi pyetjen se sa po punohet që bota të mos mësohet me fusnotën, e cila pengon shumë ecjen përpara. Deputeti Hyseni, theksoi se nuk ka koordinim të duhur ndërmjet aktiviteteve të MPJ-së dhe ministrive të tjera, por edhe me përfaqësuesit më të lartë të shtetit, që reflekton në çakordim në aktivitetet ndërkombëtare të vendit.
Deputeti Albin Kurti, duke folur në emër të GP Vetëvendosje më shumë u përqendrua në raportin e ministrit Hoxhaj ndaj Komisionit për Punë të Jashtme, duke shfaqur edhe pakënaqësi me këtë bashkëpunim të ndërsjellë, sidomos në mungesën e angazhimit të ministrit për llogaridhënie para Komisionit për punë përkatëse nga fushëveprimtaria që ushtron MPJ. Ai shprehu edhe mospajtimin e tij për emërimin e Ahmet Shalës, për ambasador në Japoni.
Në emër të AAK-ës, në seancë foli deputeti Blerim Shala, i cili theksoi nevojën e një angazhimi shumë më të madh të MPJ-ës në lëmin e bashkëpunimit , posaçërisht me shtetet e Ballkanit. Ai tha se MPJ nuk ka arritur të konsolidojë rrugën e njohjes së pavarësisë së Kosovës në botë, si dhe nuk ka dhënë sqarimet e duhura para qytetarëve sa çfarë është rruga drejt anëtarësimit të Kosovës në OKB.
Suzana Novobërdali, nga GP i AKR-ës tha se Kosova është e pranishme në nismat rajonale e ndërkombëtare. Zëri i diplomacisë dhe i Kosovës përgjithësisht, po dëgjohet kudo në botë. Diplomacia kosovare kurrë nuk ka qenë më aktive se sa sot, theksoi ajo.
Petar Miletiq, në emër të GP të SLS-ës u përqendrua në nevojën e angazhimit më të madh të MPJ-ës në tërheqjen e investimeve nga bota në Kosovë, sidomos kur është fjala për kompanitë e mëdha. Ai vlerësoi edhe angazhimin e ministrit Hoxhaj, për krijimin e hapësirave për bashkëpunim me shtete të rajonit dhe më gjerë. Pas fjalës së deputeti Arben Gashi, pati disa reagime nga ana e deputeteve, të cilat konsideronin se janë fyer ndaj edhe e lëshuan seancën. Deputeti, Gashi, tha: "Nuk kam pasur për qellim të fyej askënd, por nëse kjo është kuptuar ashtu, atëherë kërkoj falje", theksoi Gashi.
Pas debatit të gjerë i cili u shoqërua edhe me akuza edhe kundërpërgjigje, deputetëve iu drejtua kryeministri i Qeveris së Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha se që nga fillimi i rrugëtimit tonë për shtet sovran kemi qenë unik, ndaj edhe duhet të vazhdohet kjo rrugë me bashkëveprim me SHBA-në dhe BE-në. Për gjithë këtë që u arrit deri sot, kontribuoi edhe vendimi historik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që ishte fryt i diplomacisë, por edhe i drejtësisë ndërkombëtare.
Sa i përket çështjes së pesë vendeve të BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ato nuk janë kundër perspektives evropiane të Kosovës. Gjithë procesi i pavarësisë dhe i njohjeve të Kosovës, nuk është sukses individual, ai është fryt i përbashkët i të gjithëve. ''Në raport me botën gjithnjë kemi pasur e do të kemi politikë unike dhe duhet të ndihmojmë njeri tjetrin në këtë proces në koordinim me miqtë ndërkombëtar", theksoi kryeministri Thaçi.
Pas përmbylljes së debatit Kuvendi miratoi këto Rekomandime:
Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon përgjegjësi dhe përgjegjshmëri nga Qeveria, veçmas për çështjen e njohjes nga tri shtete dhe për këtë të informojë Kuvendin e Republikës së Kosovës deri në fund të këtij viti Kosovës
Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që urgjentisht të sqarojë kompetencat e anëtarëve të Qeverisë , duke përshkruar saktë obligimet dhe detyrat e punës të të gjithë përfaqësuesve të kabinetit qeveritar që merren me politikë të jashtme.
Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që të merren hapa të menjëhershëm për anëtarësim në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, në Këshillin e Evropës dhe të raportojnë në Kuvend në baza të rregullta ( tre mujore) lidhur me avancimin e anëtarësimit.
Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria, krijimin e partneritetit strategjik bilateral
Kuvendi i Republikës së Kosovës obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme që t' i përgjigjet Komisionit për Politikë të Jashtme në baza të rregullta
Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që të ndalojë politizimin e shërbimit diplomatik të Kosovës dhe të veprojë në përputhje me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën me rastin e emërimeve apo ngritjes në detyrë
Në rendin ditës në vazhdim ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit për pagat e funksionarëve publik, por ai me kërkesë të sponzoruesit-Qeverisë dhe komisionit funksional u hoq nga rendi i ditës.
Ndërkaq, u miratua në parim Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.
Seanca vazhdon nesër, në orën 10:00