Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes plenare të 3 tetorit

E Enjte, 11.10.2012




Gjatë vazhdimit sot, të seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur më 3 tetor, në të cilën qe debatuar lidhur me procesin e privatizimit (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje) dhe të ndërprerjes së seancës së 4 tetorit, për shkak të mospajtimeve të grupeve të caktuara të deputetëve lidhur me procedimin e mocionit të kërkuesit të debatit dhe Rezolutës së propozuar nga Grupi parlamentar i PDK-së, janë zhvilluar replika të ashpra lidhur me nenet e Rregullores së Kuvendit për procedimin e mocioneve përmbajtjesore.

Kryetari i Kuvendit. dr. Jakup Krasniqi, e ka hapur mbledhjen plenare, me rendin e ditës të miratuar në mbledhjen e fundit të Kryesisë: Procedimi i Mocionit për procesin e privatizimit në Kosovë, i propozuar nga grupet parlamentare: LDK, VV dhe AAK dhe i Rezolutës për procesin e privatizimit në Kosovë, i propozuar nga GP i PDK-së.

Pas kësaj fjalën e ka marrë Visar Ymeri, shef i GP të VV, i cili ka kërkuar nga kryeparlamentari Krasniqi dhe deputetët që konform rregullës 40, pika 8 të Rregullores së Kuvendit, të nxirret për votim vetëm mocioni i kërkuesit të debatit, por jo edhe Rezoluta e GP të PDK-së.

Shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci, duke u thirrur në rregullën 58, pika 4, të kësaj rregulloreje, ka këmbëngulur që të nxirren për votim të dy dokumentet, pasi që kanë dështuar përpjekjet për harmonizimin e një teksti të vetëm.

Replikat ndërmjet tyre janë përsëritur, kurse në debat në këtë temë janë involvuar deputetë të këtyre dy subjekteve politike dhe zëvendskryeministri Kuçi, i cili ka theksuar se, pasi që të dy dokumentet janë ofruar në të njëjtën ditë, duhet të nxirren të dyja në votim.

Pas propozimit të deputetit Agim Kuleta që në votim të nxirret vetëm mocioni i grupeve opozitare, me arsyetimin se, moskalimi i tij eventual, nënkupton vazhdimin e privatizimit, qëndrim ky që përmblidhet në rezolutën e GP të PDK-së.

Pas këtij propozimi drejtuesi i seancës e nxjerr mocionin për votim.
Me shumicë votash të deputetëve mocioni i grupet parlamentare lidhur me privatizimin nuk ka kaluar. Për mocionin kanë votuar 45 deputetë, 53 kanë qenë kundër dhe 3 deputetë kanë abstenuar. Ky rezultat i votimit ka bërë që të mos nxirret fare në votim rezoluta e GP të PDK-së.

 

Vazhdimi i mbledhjes plenare të 3 tetoritVazhdimi i mbledhjes plenare të 3 tetoritVazhdimi i mbledhjes plenare të 3 tetorit