Lajmet e fundit

Komisioni për Punë të Brendshme…vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtri

E Mërkure, 10.10.2012




Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së kryesuar nga kryetari i komisionit, Ahmet Isufi, ka vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtri.


Komisioni parlamentar u prit nga Drejtori i Akademisë, Ismail Smakiqi, dhe bashkëpunëtorët e tij. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja për së afërmi me procesin e tërësishëm të veprimtarisë së Akademisë.
Në fillim të takimit kryetari dhe anëtarët e komisionit njoftuan drejtuesit e Akademisë për qëllimin e vizitës e cila është në kuadër të fushëveprimit të komisionit, i cili përfshinë ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi sektorin e sigurisë në Kosovë. Ata theksuan se veprimtaria e Akademisë dhe e Policisë në përgjithësi është përherë me prioritet në agjendën e punës së komisionit.


Nga ana e tyre stafi drejtues i Akademisë ka njoftuar komisionin parlamentar lidhur me aktivitetet e Akademisë, programet trajnuese, personelin, mbështetjen dhe bashkëpunimin nga organizatat ndërkombëtare, si dhe për sfidat me të cilat përballet. Po ashtu u diskutua edhe për mundësinë e zhvillimit dhe avancimit të mëtejmë të programeve dhe kurrikulave të trajnimit bazik për kadetët policor në mënyrë që policia të jetë sa më profesionale në përmbushjen e mandatit të saj.


Komisioni parlamentar është zotuar se do të trajtojë dhe do të përkrahë kërkesat e Akademisë, duke përfshirë edhe rishikimin e buxhetit, miratimin dhe plotësimin e legjislacionit në rastet kur është e nevojshme. Komisioni pastaj ka vizituar hapësirat e ndryshme të Akademisë ku ka parë nga afër zhvillimin praktik të trajnimeve që marrin kadetët dhe oficerët policor sipas plan programeve të trajnimit.

 

Komisioni për Punë të Brendshme…vizitoi Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtri