Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Mërkure, 10.10.2012




Në një mbledhje të përbashkët ndërmjet Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione dhe përfaqësuesve të organizatës "Handikos", u bisedua për nevojën e Ligjit për paraplegji dhe tetraplegji në Kosovë.

Me arsyetimin se Ligji për persona me aftësi të kufizuar, nuk mbron interesat e paraplegjikëve dhe të tetraplegjikëve (personave me lëndime në boshtin dhe palcën kurrizore), drejtori i organizatës "Handikos", Afrim Maliqi, kërkoi nga anëtarët e komisionit që të iniciojnë plotësim-ndryshimin, ose, hartimin e një ligji të ri për këtë kategori. Drejtori i kësaj organizate, njoftoi anëtarët e komisionit se prej 18 mijë personave me aftësi të kufizuar sa ka në Kosovë, 560 prej tyre janë paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Nevojat mujore të kësaj kategorie, tha në vijim Maliqi, janë më shumë se 250 euro në muaj, ndërkaq, sipas ligjit në fuqi ata realizojnë të ardhura mujore në shumën prej 45 euro. Për më shumë, Maliqi po ashtu njoftoi se vetëm në dy vitet e fundit, si pasojë e kujdesit të pamjaftueshëm kanë vdekur dhjetë persona të kësaj kategorie.

Kryetarja e komisionit, Suzan Novobërdali, duke shprehur përkrahjen e komisionit për këtë kategori, propozoi që t'i drejtohen qeverisë, përkatësisht ministrisë përkatëse për hartimin e ligjit, i cili në mënyrë të dinjitetshme do të mbronte interesat e kësaj kategorie. Propozimi i kryetares u përkrah unanimisht edhe nga anëtarët e tjerë të komisionit. Po ashtu, në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi edhe dy peticione të qytetarëve, për të cilat bëri rekomandimet përkatëse.

Në këtë mbledhje, komisioni diskutoi edhe për një udhëzues të shqyrtimit të peticioneve, të cilin para komisionit e paraqiti përfaqësuesi i NDI-së, Reshit Gashi. Pas shqyrtimit të tij, komisioni e miratoi në parim atë, ndërkaq, shqyrtimin e mëtutjeshëm të tij komisioni vendosi ta bëjë gjatë muajit të ardhshëm.

Në fund të mbledhjes së sotme, komisioni vendosi pozitivisht edhe ndaj një projekti të OSBE-së, i cili ka për qëllim trajnimin e anëtarëve të komisionit për mënyrat dhe procedurat e mbikëqyrjes së parasë publike të institucioneve dhe agjencive financiare.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...