Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 10.10.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi disa projektligje, si dhe Projeksionin e buxhetit të RTK-së për periudhën tetor - dhjetor 2012.
Komisioni shqyrtoi Projektligjin për Parkun Kombëtar "Sharri" dhe atë për Parkun Kombëtar "Bjeshkët e Nemuna", me amendamente të komisionit funksional, ndërsa detaje rreth tyre dhanë përfaqësues të disa dikastereve qeveritare: ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, ai i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural, Xhabir Morina, si dhe përfaqësuesi i Agjensionit Pyjor të Kosovës, Ahmet Zejnuhallu.
Pas diskutimeve, komisioni nuk i përkrahu këto dy projektligje, me konstatimin se ato përmbajnë paqartësi të kostos buxhetore.
Komisioni kërkoi sqarime edhe nga udhëheqja e Radio - Televizionit të Kosovës (RTK) lidhur me Projeksionin e buxhetit të RTK-së për periudhën tetor - dhjetor 2012 dhe raportin gjashtëmujor të shpenzimeve.
U përkrah ndërkaq, në parim, Projektligji për Sistemin e Pagesave, si dhe Projektligji për regjistrimin e pengut në regjistër për sende të paluajtshme dhe ai për organet qeveritare për shoqërinë e informacionit, me amendamente të komisioneve funksionale.