Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Marte, 09.10.2012




Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetari i komisionit Lutfi Haziri, u shqyrtua raporti për amendamentimin e Projekt-Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Grupi i Grave Deputete i përfaqësuar nga deputetet Teuta Sahatqija e Flora Brovina, në mbledhjen e komisionit paraqitën për propozim katër amendamente, duke kërkuar përkrahjen e anëtarëve të komisionit.

Kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija, gjatë arsyetimit të këtyre amendamenteve tha mes tjerash se GGD-ja kërkon që në komisionet parlamentare, kryetari dhe nënkryetarët e komisioneve të mos jenë të gjinisë së njëjtë. Ajo theksoi se me këtë do të respektohet Kushtetuta dhe Ligji për Barazi Gjinore. Mes tjerash ajo kërkoi që edhe kryetarët e grupeve parlamentare të kenë nga një zëvendës të gjinisë së kundërt, ndërsa sa i përket Kryesisë së Kuvendit, partia e cila i ka dy përfaqësues, të mos jenë të gjinisë së njëjtë. Më tej, Sahatqija theksoi se këto amendamente do të paraqiten edhe në Kuvend dhe se asnjë amendament i propozuar nga GGD-ja nuk bie ndesh me praktikat evropiane.

Gjatë diskutimit të anëtarëve të komisionit për këtë çështje u theksua se gratë deputete duhet të jenë më të zëshme në grupet parlamentare për çështje të tilla dhe të ekzistojë demokratizimi i brendshëm brenda grupeve parlamentare për mundësi të barabarta.

Amendamentet e komisionit funksional dhe amendamentet e propozuara nga GGD-ja morën dritën jeshile nga anëtarët e komisionit me konstatimin se nuk janë në kundërshtim me acquis communautaire.

Më tej anëtarët e komisionit, përkrahën për procedim të mëtejmë edhe Projektligjin nr.04/l-136 për regjistrimin e pengut në regjistër për sendet e luajtshme, si dhe Projektligjin Nr.04/L-145 për organet qeveritare për shoqërinë e informacionit nr.04/l-145, me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

 

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane