Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi vizitoi Institucionin e Avokatit të Popullit

E Marte, 09.10.2012




Gjatë vizitës së sotme që i bëri Institucionit të Avokatit të Popullit, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, u njoftua me punën, të arriturat dhe sfidat që e përcjellin këtë institucion.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, vizitën e kryeparlamentarit Krasniqi e vlerësoi si të rëndësisë së veçantë. Vizita e sotme, tha ai, është dëshmi e përkrahjes të cilën Kuvendi i Kosovës i ofron këtij institucioni. Në vijim, Kurteshi foli për të arriturat dhe sfidat që e përcjellin Institucionin e Avokatit të Popullit. Efikasitetin e punës së tyre, Kurteshi e ilustroi me faktin se: "Asnjë nga personat që i është drejtuar për ndihmë Avokatit të Popullit, nuk ka mbetur pa përgjigje", dhe vazhdoi: "Ky institucion bën përpjekje të përditshme për të arsyetuar ekzistencën e vet para qytetarëve". Institucioni i Avokatit të Popullit, si i vetmi institucion kombëtar i cili angazhohet për të drejtat e njeriut, veprimtarinë e vet e ushtron në disa fusha të organizuara në departamente, tha më tej Kurteshi. Ai, me këtë rast përmendi Departamentin ekzekutiv, Departamentin legjislativ, Departamentin kundër diskriminimit dhe atë të gjyqësorit, ndërkaq, duke folur për sfidat, ai vuri në dukje ndërhyrjen në pavarësinë buxhetore dhe mungesën e hapësirave teknike.

Kreu u Kuvendit, ndërkaq, falënderoi Kurteshin për pritjen e ngrohtë që i bëri dhe e përgëzoi atë për sukseset e arritura, duke e inkurajuar gjithashtu që të vazhdojnë edhe më tej në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore. "Gjykata Kushtetuese dhe Institucioni i Avokatit të Popullit, janë institucionet e pavarura më të veçanta, sepse, Kuvendi merr pjesë drejtpërdrejtë në zgjedhjen e tyre", tha Krasniqi. Duke folur për rëndësinë që në shoqërinë kosovare ka ky institucion, kreu i Kuvendit përkujtoi se në shoqëritë e tranzicionit, vendosja e demokracisë dhe zbatimi i rendit dhe ligjit paraqesin sfidë të madhe. Kjo sfidë, tha më tej Krasniqi, është më vështir për tu tejkaluar në vendet ballkanike, andaj, në këtë kontekst roli i Avokatit të Popullit mbetet i pazëvendësueshëm. Duke i siguruar se Institucioni i Avokatit të Popullit do të ketë mbështetje edhe në të ardhmen nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi, po ashtu sugjeroi për një bashkëpunim edhe më të ngushtë, veçanërisht në mes të komisioneve, sidomos me atë të legjislacionit dhe të Komisionit për Barazi Gjinore.

Kryekuvendari Krasniqi vizitoi Institucionin e Avokatit të Popullit