Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi ngushëllon zotin John A. Boehner
E Marte, 09.10.2012
Me rastin e vdekjes së Ambasadorit, ish- zëvendësshefit të misionit të OKB-së në Kosovë, Lawrence Rossin, kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, i dërgoi një telegram ngushëllimi zotit John A. Boehner, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara,me këtë përmbajtje:"
I nderuar Zoti John A. Boehner,
Me dhembje të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Ambasadorit, ish- zëvendësshefit të misionit të OKB-së në Kosovë dhe mbështetësit të madh të pavarësisë së Kosovës, Lawrence Rossin.
Vdekja e Lawrence Rossin është humbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij dhe për diplomacinë Amerikane, por edhe për Kosovën, që e kishte mik të madh.
Duke ndarë dhembjen bashkë me ju dhe familjarët e diplomatit Lawrence Rossin, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta.
Ju lutem Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë", theksohet në telegramin e kryekuvendarit Krasniqi.