Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
E Hënë, 08.10.2012
Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, në një mbledhje të përbashkët me ministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci, me ministrin e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë (MAPH), Dardan Gashi si dhe me kryeshefin ekzekutiv të Agjencionit të pyjeve të Kosovës (APK), Ahmet Zejnullahu, diskutuan për gjendjen në bujqësi, ambient dhe në pyjet e Kosovës.
Kryetari i komisionit, Nait Hasani, duke falënderuar ministrat dhe kryeshefin për prezencën e tyre, tha se komisioni dëshiron të dijë se në ç'masë këto ministri kanë plotësuar detyrimet që dalin nga Raporti i KE-së për Kosovën.
Për sa i përket aspektit ligjor, ministrat Stavileci e Gashi u shprehën se ministritë që ata drejtojnë, në masën më të madhe kanë proceduar projektligjet sipas agjendës së paraparë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërkaq, për implementimin e tyre thanë se mbetet hapësirë për të bërë edhe më shumë në të ardhmen.
Pas kësaj, ministri i MBPZHR-së, Stavileci foli për të arriturat dhe sfidat e kësaj ministrie, duke vënë në dukje efektet ekonomike të subvencionimit të bujqve, fermerëve dhe pemëtarëve. Nga investimet prej 4.5 milion euro në sektorin e bujqësisë, ministri Stavileci tha se kanë përfituar më shumë se dhjetë mijë bujq. Ky investim, tha në vijim ai, ka bërë që sipërfaqja prej 102 mijë ha sa ishte në vitin 2007, të rritet në 160 mijë ha në vitin 2011 duke rritur edhe rendimentet e prodhimit në 31%. Për sa i përket sektorit të blegtorisë, si rezultat i subvencionimin nga ana e Ministrisë, fondi i bagëtive ka shënuar rritje deri në 20%, tha ministri Stavileci. Për sukseset e kësaj ministrie në fushën e pemëtarisë, Stavileci, veçoi ngritjen e 191 serrave të reja dhe të 221 pemishteve. Ai foli edhe për planet e Ministrisë në të ardhmen, ndërkaq, përkujtoi se si rezultat i përkujdesjes financiare në sektorin e bujqësisë janë krijuar 2175 vende të reja pune. Në vijim, ministri Stavileci dhe kryeshefi ekzekutiv i APK-së Ahmet Zejnullahu, folën edhe për gjendjen në pyjet e Kosovës. Lidhur me këtë, derisa ministri Stavileci u fokusua në ndërtimin e politikave adekuate të ruajtjes dhe menaxhimit të pyjeve, Zejnullahu ndërkaq, tërhoqi vëmendjen në nevojën e miratimit të Ligjit për pyjet. Ky ligj tha në vijim ai, duhet harmonizuar me Ligjin për Parqet dhe zonat e mbrojtura, duke saktësuar qartë rolin e secilit mekanizëm dhe instancë institucionale. "Nëse ne bëjmë një Ligj për pyjet, pas miratimit të Ligjit për parqet nacionale, ne në fakt bëjmë ligj për pjesën e mbetur të pyjeve", tha Zejnullahu. Pas kësaj, të dy ministrat si dhe komisioni u pajtuan që në takimet e ardhshme të punohet në harmonizimin e qëndrimeve lidhur me Ligjin për pyjet.
Në një Raport të përmbledhur për periudhën korrik-shator të MAPH-së, në vijim foli ministri Dardan Gashi. Gjatë kësaj periudhe (korrik-shator), tha Gashi, kemi pranuar 36 kërkesa për pëlqim mjedisor. Prej këtyre kërkesave, tha ai, kemi dhënë 12 pëlqime, kemi refuzuar dy dhe 22 kërkesa janë në procedurën e shqyrtimit. Ai po ashtu njoftoi se kjo Ministri gjatë kësaj periudhe ka lëshuar një Licencë për administrimin e mbeturinave, gjashtë leje për eksport të mbeturinave si dhe katër leje për importin e produkteve biocide dhe kimikateve. Po sipas këtij Raporti, për këtë Ministri u tha se ka bërë 161 inspektime, ka marrë 14 vendime, 44 inicime në gjykatë, ka shqiptuar një gjobë mandatore, tri inspektime me KFOR-in dhe ka lëshuar 104 vërejtje urdhëresa dhe rekomandime. Ministri Gashi, raportoi edhe për projektet e realizuara në bashkëpunim me kuvendet komunale. Në fund të ekspozeut të tij, ministri Gashi edhe një herë ngriti çështjen e buxhetit të kufizuar për këtë Ministri." Për sa i përket buxhetit, ndonëse ka progres, megjithatë, mbetet shumë i vogël kundruall nevojave të Ministrisë", tha Gashi