Lajmet e fundit
Deputetja Flora Brovina u takua me ish-sekretaren e SHBA-ve, Madeleine Albright
E Hënë, 08.10.2012
Deputetja Flora Brovina pati një takim të veçantë me ish sekretaren e SHBA-ve, tani kryetare e Bordit të drejtorëve të NDI-së, znj. Madeleine Albright, në të cilin takim u bisedua për sfidat rreth themelimit dhe funksionimit të Grupit të Grave Deputete, si dhe për vështirësitë rreth fuqizimit të gruas dhe rritjes së rolit të saj në shoqëri.
Me këtë rast Brovina duke falënderuar fillimisht znj. Albright për rolin e saj si ideologe dhe përkrahëse e fuqizimit të gruas në Kosovë, tha se ende ka shumë sfida në këtë aspekt duke shtuar se edhe ajo personalisht është ballafaquar me sfida të ndryshme.
"Jemi krenare meqë kemi korrur sukses të lakmuar me vet faktin që gratë në Kosovë janë lidere në ndërtimin e dialogut mes grave në politikë të nivelit qendror dhe lokal, me shoqërinë civile, partitë politike, si dhe me gratë në regjion", tha deputetja Brovina gjatë takimit që ajo pati me ish -sekretaren e shtetit amerikan, znj. Madeleine Albright
Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për gratë e viktimizuara , me ç‘rast Brovina, ia përcjelli znj. Albright përshëndetjet e tyre nga Qendra për Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve viktima të luftës, të cilën qendër znj. Albright e kishte vizituar gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, në vitin 2005.