Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë

E Hënë, 08.10.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori pjesë sot në vënien e gurthemelit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë dhe mbajti një fjalë përshëndetëse.

Duke uruar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe të pranishmit, kryetari Krasniqi tha se ka një kohë të gjatë që Prishtinës i ka munguar një xhami e këtyre përmasave, për të siguruar hapësirë të mjaftueshme që besimtarët të kryejnë në kushte optimale ritet fetare. Ai tha se e drejta e fesë është e garantuar me Kushtetutën tonë, prandaj duhet krijuar edhe kushtet e ushtrimit të besimit të qytetarëve.

"Qytetarët e Kosovës, historikisht, i ka karakterizuar fryma e tolerancës dhe e bashkëpunimit ndërkonfesional. Bashkëjetesa e feve të ndryshme në Kosovë është një vlerë e ruajtur ndër shekuj dhe që duhet kultivuar edhe në të ardhmen", theksoi kryeparlamentari Krasniqi, duke shtuar se feja dhe besimi kanë qenë dhe do të jenë faktorë fisnikërimi për njerëzit. Ndërkaq, tendencat dhe praktikat fundamentaliste fetare, shtoi kryetari i Kuvendit, i kanë sjellë dëm, jo vetëm besimeve, por edhe mbarë shoqërisë njerëzore.

"Ruajtja e karakterit dhe e përmbajtjes burimore të feve, misionit të lartë të tyre për kultivimin e besimit të sinqertë dhe të virtyteve njerëzore, është detyrë e shenjtë e klerit tonë të të gjitha besimeve. Uroj që ky objekt kulti që do të ngrihet këtu, t'u shërbejë këtyre vlerave fetare, morale e kulturore", tha ndër të tjera kryetari Krasniqi.

 

Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Xhamisë Qendrore në PrishtinëKryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë