Lajmet e fundit

Grupi i Deputetëve të Rinj takoi sot ish-Sekretaren amerikane të shtetit, znj. Madeleine Albright

E Premte, 05.10.2012




Holli i Bibliotekës Kombëtare ishte i rezervuar sot për debatin e organizuar me znj. Madeleine Albright, të cilin e organizoi Grupi i Deputetëve të Rinj te Kuvendit të Kosovës me mbështetje të NDI-së. Në takim ishin të pranishëm edhe të rinj nga partitë politike, përfaqësues të studentëve të Universitetit të Prishtinës, përfaqësues të Këshillit të Nxënësve të Kosovës, si dhe përfaqësues të të rinjve nga organizatat jo-qeveritare.

Fillimisht ne emër të të rinjve te Republikës së Kosovës, kryetarja e Grupit të Deputetve të Rinj, zj Ganimete Musliu, i shprehu mirënjohje dhe falënderim znj.Albright për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në Kosovë, duke e çmuar lart kontributin e saj të pamuhueshëm në procesin e shtetbërjes së Kosovës.

Më pas u zhvillua një debat njëorësh ku të gjithë të pranishmit patën rastin që ta marrin fjalën e të bashkëbisedojnë me znj.Albright.
Fryma e debatit u zhvillua kryesisht rreth rolit të të rinjve në sundimin e ligjit në vend dhe proceseve tjera vendimmarrëse. Në këtë takim u shtjelluan edhe tema të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën dhe perspektivën e të rinjve në Kosovë.

Znj.Albright i inkurajoi të rinjtë e Kosovës që bashkërisht, pa dallime, të punojnë për ruajtjen e paqes në Kosovë dhe sundimin e ligjit, si parime fundamentale të Demokracisë. Në këtë kuptim ajo u shpreh e kënaqur me angazhimin e Deputetëve të Rinj dhe ftoi që ky Grup të jetë shembull i bashkëjetesës e tolerancës në Kosovë dhe i përfaqësimit dinjitoz të interesave të të rinjve të Kosovës.

Në fund të këtij takimi në emër të të rinjve, kryetarja e Grupit të Deputetëve të Rinj, znj.Musliu i ndau një mirënjohje znj.Albright dhe një dhuratë simbolike.

Takimi me znj.Albright ishte edhe një nga shembujt e përkrahjes të pakursyer që NDI po i jep Grupit të Deputetëve të Rinj .

Nga Bordi i Grupit të Deputetëve të Rinj, pjesëmarrës në këtë takim ishin :
kryetarja,Ganimete Musliu, Rita Hajzeraj-Beqaj, Burim Ramadani, Biserka Kostiq, Afrim Kasolli dhe Jeton Svirca.

 

 Grupi i Deputetëve të Rinj takoi sot ish-Sekretaren  amerikane të shtetit,  znj. Madeleine Albright    Grupi i Deputetëve të Rinj takoi sot ish-Sekretaren  amerikane të shtetit,  znj. Madeleine Albright