Lajmet e fundit

Kryeparlamentari dr. Jakup Krasniqi, priti shefin e ri të OSBE-së në Kosovë, Jean Claude Schlumberger

E Premte, 05.10.2012




Në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe OSBE-së, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim njohës ambasadorin e ri të kësaj organizate, Jean Claude Schlumberger.

Duke i uruar mirëseardhje ambasadorit Schlumberger, kryeparlamentari Krasniqi e falënderoi atë për mbështetjen e deritashme që OSBE-ja i ka dhënë Kosovës, e në veçanti Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryeparlamentari e njoftoi ambasadorin Schlumberger për punën dhe përbërjen e Kuvendit, me theks të veçantë për angazhimin që është bërë në miratimin e ligjeve për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Duke e njoftuar për sfidat me të cilat aktualisht përballet Kuvendi, kryeparlamentari e njoftoi ambasadorin Schlumberger edhe me ecurinë e miratimit të Reformës Zgjedhore. Lidhur me këtë, kryeparlamentari Krasniqi tha se partitë politike duhet gjetur zgjidhje për zhbllokimin e këtij procesi.

Duke shpresuar në anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në OSBE, Krasniqi shprehu bindjen se ambasadori Schlumberger do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën, veçanërisht në kontaktet me pesë shtetet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Ambasadori Schlumberger, ndërkaq, duke e falënderuar kryeparlamentarin për pritjen, e siguroi atë se OSBE-ja dhe Kuvendi i Kosovës, do të vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet e ndërsjella shumë të mira. Duke folur për fushat në të cilat OSBE-ja është e angazhuar, ambasadori Schlumberger vuri në pah tri prej tyre: zhvillimin e demokracisë, të drejtën e komuniteteve dhe sigurinë publike. Bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe OSBE-së, tha tutje Schlumberger, e karakterizon angazhimi i përbashkët në zhvillimin e demokracisë dhe transparencës. Në këtë vështrim, tha ai, bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

 

Kryeparlamentari dr. Jakup Krasniqi, priti  shefin e ri të OSBE-së në Kosovë, Jean Claude Schlumberger