Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Premte, 28.09.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetari i komisionit Lutfi Haziri, u shqyrtua Projektligji Nr. 04/L-129 për shfuqizimin e neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me amendamentet e komisionit funksional, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Gjatë diskutimit të anëtarëve të komisionit rreth projektligjit, anëtarja e komisionit Alma Lama, tha se qëndrimi i saj kundër nuk ka të bëjë me shfuqizimin e këtyre neneve, mirëpo me ecurinë e procedurave të këtij projektligji, duke e quajtur zhvillimin e procedurave në mënyrë joligjore.
Në ketë mbledhje diskutuan edhe kryetari i komisionit Lutfi Haziri dhe anëtarët Ismet Beqiri, Blerim Shala dhe Vjosa Osmani.
U shprehën edhe pakënaqësitë e tyre rreth procedurave të cilat janë zhvilluar për këtë projektligj, megjithatë u theksua fakti se rekomandimi i Komisionit për Legjislacion i cili është votuar nga deputetët ka qenë shmangie nga procedurat.
Ndërsa, duke e vlerësuar këtë si çështje në interes të publikut, anëtarët e komisionit me shumicë votash dhe një abstenim, përkrahën Projektligjin Nr. 04/L-129 për shfuqizimin e neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me amendamentet e komisionit funksional, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Më tej anëtarët e komisionit gjatë shqyrtimit të Projektligjit Nr. 04/L-109 për Komunikimet Elektronike , me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, nuk përkrahën tri amendamente të këtij projektligji të propozuara nga Komisioni për Buxhet dhe Financa. U vlerësua se këto tri amendamente janë në kundërshtim me direktivën evropiane, dhe cenojnë pavarësinë financiare.
Ndërsa u përkrahën amendamentet e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.
Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit diskuan edhe për angazhimet e mëtejme të komisionit në muajin tetor, duke përmendur mes tjerash edhe Planin e Veprimit të Kuvendit për Integrim Evropian. Ndërsa, u theksua se më 10 tetor pritet të dorëzohet në Kosovë raporti për studimin e fizibilitetit, ndërsa pritet edhe vlerësimi i dialogut mbi liberalizmin e vizave.