Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Premte, 28.09.2012
Komisioni për Arsim,Kulturё, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga, Eqrem Kryeziu, zëvendëskryetar i parë i Komisionit, shqyrtoi sot Projektligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës nr.04/L-144, i cili përcakton të drejtat dhe obligimet e organeve të komunës në menaxhimin e pronës së paluajtshme komunale, në relacion me institucionet tjera qendrore, AKP-në dhe personat fizik e juridik. Gjatë diskutimit të gjerë u tha se problematika që rregullon ky projektligj është mjaft e ndërlikuar dhe me përgjegjësi, ndaj kërkon angazhim që të gjenden zgjidhje sa më të mira ligjore rreth shfrytëzimit të pronës publike, duke pasur parasysh gjithnjë edhe të ardhmen zhvillimore të vendbanimeve. Në këtë vështrim debati u përqendrua më shumë në aspektin e nevojës së përcaktimit sa më të mirë të përgjegjësive të organeve që vendosin për pronën e paluajtshme, sidomos kur është fjala për kompetencat e kryetarëve të komunave. Në kuadër të debatit u propozua që pronat e zonës urbane I dhe II te jepen në shfrytëzim për 40 vjet, ndërsa pronat e zonave III dhe IV, të cilat gjenerojnë zhvillim ekomomik të jepen në shfrytëzim 99 vjet. Çështjet nga këta lëmenj do të rregullohen edhe me rregullore të veçanta. Anëtarët e Komisionit u pajtuan që të vazhdojë shqyrtimi i Projektligjit nen për nen, si dhe amendamentimi i tij.