Lajmet e fundit

Nga tryeza e punës së Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Mërkure, 26.09.2012




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), organizoi sot tryezë pune me temën: Legjislacioni në fushën e efiçiencës së energjisë.

Tryeza u mbajt në hotel" Prishtina", ndërkaq, përpos anëtarëve të komisionit në të merrnin pjesë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, përfaqësuesi i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), përkatësisht, zv. ministri, Gani Koci, ata të USAID-it, KDI-së, GAP-it, UNDP-së dhe shoqata e OJQ, fushëveprimtaria e të cilave ka të bëjë me këtë Kryetari i komisionit, Zenun Pajaziti, fillimisht falënderoi INDEP-in për iniciativën e kësaj tryeze, duke vlerësuar se gjatë debatit do të krijohet një pasqyrë e qartë lidhur me legjislacionin në fushën e efiçiencës së energjisë. Ai në vijim foli edhe për konsumin e shtuar të energjisë si dhe nevojën e prodhimit të saj në forma të tjera, siç janë shfrytëzimi i lumenjve dhe prodhimi i energjisë me materiale ricikluese. Në fjalën e tij, Pajaziti me theks të veçantë foli edhe për efiçiencën e energjisë, për të cilën tha se mungesa e ulët e vetëdijes qytetare bën që energjia të mos shfrytëzohet në mënyrë racionale. Për sa i përket ligjit të kësaj fushe, ai tha se Qeveria ka rrumbullakuar pakon e ligjeve sekondare të kësaj lëmie, por që duhet zbatuar me përpikëri.

Shpresoj, tha në vijim ai, se edhe nga kjo tryezë do të dalin rekomandime përkatëse për legjislacionin në fushën e efiçiencës së energjisë, ndërsa bashkëpunimin me INDEP-in e vlerësoi si të rëndësisë së veçantë edhe në të ardhmen.

Në vijim fjalën e mori zv. ministri, Gani Koci, i cili në mënyrë kronologjike foli për angazhimet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, duke vënë theksin mbi veprimet e marra lidhur me efiçiencën e energjisë elektrike. Lidhur me këtë, ai me këtë rast kujtoi se në mungesë përvoje dhe njohurive të pamjaftueshme, në Ligjin për energjinë elektrike, efiçienca e energjisë përmendet vetëm shkarazi. Por, tha në vijim Koci, më vonë është parë rëndësia e efiçiencës së energjisë elektrike dhe MZHE-ja ka bërë ligj të veçantë për të. Po ashtu, ai njoftoi se kjo Ministri, në funksion të një efiqience më të madhe ka nxjerrë një mori aktesh dhe urdhëresash administrative, ashtu siç është e paraparë edhe me standardet e BE-së. Ai, me këtë rast njoftoi edhe për atë se, tendencat e kësaj Ministrie për periudhën 2010 -2018 kanë qenë dhe mbeten që efiçienca e energjisë të arrijë në masën deri në 9%. Për të realizuar këto objektiva, zv. ministri Koci njoftoi se Ministria ka themeluar edhe Agjencionin e Kosovës për Efiçiencën e Energjisë (AKEE).

Pas fjalës së zv. ministrit, Rinora Gojani, në emër të INDEP-it paraqiti një analizë mbi Ligjin për efiçiencën e energjisë. Ajo foli edhe për zbatueshmërinë e ligjit bazuar në një hulumtim të bërë po ashtu nga ana e tyre. Lidhur me Ligjin për efiçiencën e energjisë, Gojani nuk pati ndonjë vërejtje substanciale, ndërkaq për sa i përket implementimit të tij ajo ishte e mendimit se mbetet akoma shumë për të bërë. " INDEP-i ka konstatuar se ky ligj është duke u zbatuar vetëm pjesërisht", tha ajo. Ndër gjetjet kryesore lidhur me zbatimin e ligjit ajo radhiti se: Plani i Veprimit për Efiçincë të Energjisë nuk është në harmoni me direktivat e BE-së, MZHE-ja nuk ka ekzekutuar me sukses detyrat e parapara me Ligjin për efiçiencën e energjisë, themelimin me vonesë i AKEE-së, mungesa e zyrave komunale për energji e të tjera. Ajo në vijim tha se rritja e vazhdueshme e konsumit dhe humbjet e mëdha teknike e komerciale në rrjetin e transmisionit dhe të shpërndarjes, kanë shtuar nevojën për masa adekuate në drejtim të arritjes së objektivave për efiçiencën e energjisë. Në fund të paraqitjes së saj me këtë rast, Gojani shpalosi një vistër rekomandimesh të nxjerra nga hulumtimi, e që ia adresoi MZHE-së.

Pas kësaj, fjalën e mori ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, i cili fillimisht foli për mbështetjen që Ambasada e Britanisë së Madhe ka ofruar për projektet e INDEP-it dhe OJQ-ve, të cilat angazhohen për një konsumim sa më racional të energjisë elektrike. Ai në vijim foli për nevojën e shtuar të vetëdijësimit të qytetarëve për efiçiencën e energjisë elektrike, me ç'rast iu referua përvojave të shtetit të tij dhe fushatave të vetëdijësimit për të cilat tha se kanë zgjatur me vite, por, që kanë dhënë rezultate të kënaqshme. Duke iu referuar planeve për zhvillimin ekonomik të Kosovës, Cliff, po ashtu përkujtoi se në kuadër të investimeve të jashtme duhet paraparë edhe shtimin e konsumit të energjisë, andaj, vijoi ai, duhet gjetur zgjidhje për shtim të kapacitetev të prodhimit duke u kujdesur edhe për efiçiencën. Me rritjen e kapacitetve të konsumit, ambasadori vuri në spikamë nevojën e ndërtimit të termocentralit të ri, duke vënë në pah po ashtu, nevojën e mbylljes së termocentralit "Kosova A". Ai në vijim u shpreh edhe në favor të privatizimit të kapaciteteve prodhuese, për siç tha ai, pamvarësisht se dikush mund të deklarohet kundër.

Në favor të efiçiencës së energjisë elektrike u shprehën edhe përfaqësuesit e GIZ-it, UNDP-së, AKEE-së dhe GAP-it, të cilët thanë se për efiçiencën e energjisë duhet kujdesur të gjithë. Në debat u angazhuan edhe anëtarët e komisionit, Visar Ymeri, dhe Sala Berisha- Shala, të cilët falënderuan INDEP-in për hulumtim e bërë nga ana e tyre.

Lidhur me debatet e sotme në këtë tryezë të pranishmit u morën vesh që rekomandimet të përgatiten në një dokument unik dhe pas një jave t'i dorëzohet komisionit.

Nga tryeza e punës së Komisionit për Zhvillim Ekonomik...