Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 26.09.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja Safete Hadërgjonaj, shqyrtoi dhe përkrahu disa projektligje, ndërsa në kuadër të monitorimit të zbatimit të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive, shtroi një varg pyetjesh në adresë të ministrit të Financave, Bedri Hamza.
Gjatë raportimit në komision dhe në përgjigje të pyetjeve të deputetëve, ministri Hamza dha një pasqyrë të detajuar lidhur me zbatimin e këtij ligji dhe nevojat eventuale për amendamentimin e tij.
Në vazhdim, komisioni përkrahu Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë, me amendamente të grupit punues, dhe e procedoi për miratim në Kuvend.
Gjatë kësaj mbledhjeje, u përkrah edhe Projektligji për ratifikimin e amendamentit të neneve të Marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi reformën e Bordit Ekzekutiv dhe Projektligji për rritjen e kuotës së Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Anëtarët e komisionit përkrahën, gjithashtu, edhe Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe atë për shfuqizimin e neneve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me amendamente të komisioneve funksionale, duke i proceduar tutje në Kuvend.
Në mbledhjen e fundit, komisioni kishte marrë iniciativën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale në Kosovë, ndërsa sot krijoi grupin punues i cili do të merret me amendamentimin e tij.