Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion të Handikos-it

E Mërkure, 26.09.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim një delegacion përfaqësuesish të Handikos-it, të kryesuar nga z.Afrim Maliqi. Me këtë rast Afrim Maliqi dhe përfaqësuesit tjerë njoftuan kryekuvendari Krasniqi lidhur me problemet e rënda me të cilat ballafaqohen personat para dhe tetrapelgjik. Ankesat e tyre kishin të bënin më shumë më moskujdesin e e duhur të shoqërisë ndaj kësaj kategorie të qytetarëve, të cilët kanë të lënduar boshtin kurrizor. Ata ankoheshin sidomos për pensionet shumë të ulëta që ndahen aktualisht për këta persona. Kërkesë e tyre themelore ishte sendërtimi i nismës për hartimin e një Projektligji për këtë kategori personash, në mënyrë që ata në mënyrë ligjore të siguronin kushtet për një jetesë sa më të mirë, ashtu si veprohet edhe në shtete të ndryshme të botës.

Kryekuvendari Krasniqi theksoi se halli i personave para dhe tetrapelgjik është i një natyre të veçantë. Ai tha se është e nevojshme që tash për tash të shikohet se si po zbatohet në praktikë ligji që ka të bëjë edhe me këto kategori. Ai përkrahu nismën që të bëhet një ligj i veçantë për personat para dhe tetrapelgjik. Ai shprehu besimin se Projektligji mbi këta persona do të gjejë përkrahje nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

 

 

 

Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion të Handikos-it