Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Walker Halbauer

E Marte, 25.09.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Walker Halbauer. Duke u falënderuar për këtë pritje gjenerali Walker Halbauer theksoi se kjo detyrë e re është një sfidë e madhe për të, ndërsa emërimin në këtë post e ka pritur me kënaqësi."Është ky mision sfidues dhe ia vlen të kontribuojë për të mirën e këtij vendi", theksoi ai.

Pasi e përgëzoi për detyrën gjeneralin Halbauer, kryekuvendari Krasniqi, theksoi:"Si Kosovë jemi përpjekur për të krijuar ambient dinjitoz për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie. Ai në vijim foli për rëndësinë e Pakos së Ahtisarit, duke u shprehur se kjo pako ishte fryt kompromisi. Në këtë frymë , tha ai, janë vendosur disa standarde të reja në barazinë dhe lirinë e qytetarëve. Në pjesën më të madhe dokumenti i Ahtisarit është zbatuar, ndaj edhe kjo reflektoi që Këshilli Drejtues të marrë vendimin për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur në Kosovë.

Mirëpo , dokumenti i Ahtisarit , tha në vijim kreu i legjislativit, nuk u realizua në veri të vendit edhe nga shkaku i administratës ndërkombëtare, sepse lejohej veprimi i strukturave paralele në veri, ndërkaq në interes të serbëve është që të integrohen në institucionet dhe në rrjedhat e gjithmbarshme në Kosovë. Në vazhdim kryetari i Kuvendit Krasniqi vlerësoi se KFOR-i ka bërë e po bën punë të madhe në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë.

Kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim të gjerë edhe kontributit të Kuvendit të Kosovës në fushën e legjislacionit. Ai e njoftoi komandantin e KFOR-it edhe me strukturën e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se nga radhët e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës janë 25 deputetë. Në Kuvendin e Kosovës, theksoi kryekuvendari Krasniqi, bëhen përpjekje të vazhdueshme që edhe opozitës t' i krijohet hapësirë për pjesëmarrje në vendimmarrje.

Bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin se në Kosovë janë bërë e po bëhen hapa të rëndësishëm zhvillimi edhe në aspektin ekonomik, rezultate këto që shihen kudo në ndërtimet që po bëhen në vazhdimësi, duke ndërruar pamjen e vendit pas shkatërrimeve të luftës.

 

Kryekuvendari Krasniqi priti komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralin Walker Halbauer