Lajmet e fundit
Grupi i Grave Deputete priti sot studentët e Universitetit Cambridge nga Mbretëria e Bashkuar
E Marte, 25.09.2012
Bordi i Grupit të Grave Deputete priti sot një grup studentësh të Universitetit të Cambridge nga Mbretëria e Bashkuar, (studentë të drejtimit Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare) të cilët po qëndrojnë për një vizitë studimore në Kosovë.
Me këtë rast, deputetja Donika Kadaj Bujupi njoftoi delegacionin lidhur me përkushtimin e grave për të krijuar dhe zbatuar politika të cilat iu japin shanse të barabarta grave dhe burrave. Ajo tha se ne kemi një nivel të bollshëm të grave për të marrë përgjegjësi në të gjithë sektorët, mirëpo shtoi Kadaj, ende nuk jemi të kënaqur me përfshirjen e grave, me theks të veçantë në pozita vendimmarrëse.
Më tej Kadaj theksoi nevojën e realizimit të së drejtës së pronësisë dhe trashëgimisë, gjë e cila ndikon drejtpërdrejt edhe në fuqizimin ekonomik të gruas. Duke u përgjigjur në pyetjet e studentëve, deputetja Flora Brovina, foli edhe për kontributin e gruas në të gjithë historinë e Kosovës, para luftës, gjatë luftës, si dhe aktualisht në ndërtimin e institucioneve demokratike.
Edhe deputetja Alma Lama foli për domosdoshmërinë e aplikimit të kuotës në jetën politike dhe shoqërore, ndërsa kryetarja e Komisionit për të Drejtat të Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Suzan Novobërdali, tha me këtë rast se janë hartuar ligje të rëndësishme që ndërlidhen me perspektiven gjinore siç është Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligjin kundër Diskriminimit.
Qëllimi i kësaj vizite studimore është njohja për së afërmi me jetën politike në Kosovë, ndërkaq kjo vizitë studimore është mundësuar nga Këshilli Britanik, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.