Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një grup studentësh nga Universiteti i Kembrixhit të Mbretërisë së Bashkuar

E Marte, 25.09.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim një grup studentësh nga Universiteti i Kembrixhit të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët i njoftoi me të kaluarën e popullit të Kosovës, shtetndërtimin, aspiratat e Kosovës për integrim euro-atlantik dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Para studentëve, kryeparlamentari Krasniqi foli për gjenezën e problemit të Kosovës dhe pasqyroi përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi. Kreu i Kuvendit shkoqiti detaje nga zhvillime të rëndësishme historike përgjatë shekullit të kaluar, të cilat kulmuan me luftën çlirimtare të viteve 1998-1999 dhe vendosjen e administrimit ndërkombëtar në Kosovë. Një theks të veçantë, kryeparlamentari Krasniqi u kushtoi negociatave të Vjenës dhe përpjekjeve për përcaktimin e statusit politik të Kosovës nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kryetari Krasniqi tha se pas bllokimit rus në OKB, shpallja e pavarësisë së Kosovës nga përfaqësuesit e zgjedhur të saj, në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, mbeti e vetmja alternativë, akt ky që u materializua më 17 shkurt 2008 në Kuvendin e Kosovës.

Kreu i Kuvendit foli edhe për të arriturat e Kosovës pas pavarësimit, por edhe për përpjekjet e vazhdueshme të Beogradit për të penguar rrugëtimin e saj gjatë shtetndërtimit.

Studentët, nga ana e tyre, duke e falënderuar kryetarin Krasniqi për pritjen, shfaqën interesim për çështje të ndryshme që lidheshin me të ardhmen e vendit. Në përgjigje të pyetjeve të tyre për prioritetet e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik, kryeparlamentari Krasniqi veçoi sektorin e bujqësisë, atë minerar dhe pasuritë e tjera nëntokësore, duke potencuar nevojën e krijimit të instrumenteve përkatëse për zhvillimin dhe shfrytëzimin e mëtejmë të tyre.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti një grup studentësh nga Universiteti i Kembrixhit të Mbretërisë së Bashkuar