Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

E Hënë, 24.09.2012




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, mbajti sot dëgjim publik, me temën: Shqyrtimi i Raporteve të Auditimit të Komunave të Republikës së Kosovës, për vitin 2011. Në këtë dëgjim publik i cili u mbajt në hotelin Emerald, ishin të pranishëm kryetarët e komunave të Kosovës, Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson, kryetari i komunave të Asociacionit të Komunave, Naim Ismajli, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, etj.

Me këtë rast, kryetari i komisionit, Ali Sadriu, duke folur për të gjeturat dhe sfidat e përgjithshme nëpër komunat e Kosovës tha se aty ku ekziston njësia e auditorit dhe aty ku respektohet mendimi i auditorit, të gjeturat do të jenë të vogla.

Ai me tej shtoi se gjashtë komuna ende nuk kanë njësi të auditimit, andaj kërkoi që këto komuna t'i kenë njësitë e kompletuara të auditorit dhe te këtë trajnime të auditorëve.

"Të gjeturat që i ka konstatuar auditori janë të natyrave të ndryshme, ndërsa edhe sipas konstatimeve të komisionit del se në nivelin komunal janë këto mangësi: në përpilimin e pasqyrave vjetore financiare; nuk kanë regjistra të plotë të kontrollit, kontabilitetit; ka mos shpalosje të pasurive në vlerat e tyre financiare; nuk janë kryer harmonizimet e pritura në mes të hyrave të mbledhura me ato të regjistrave në llogari; në përgjithësi komunat nuk kanë mbajtur lista të pagesave nga palët e treta; në shumë komuna trajtimi i pasurisë jo financiare nuk është në pajtim me kërkesat ligjore; si dhe në trajtimin e proceseve të prokurimit ende ka mangësi, tha Sadriu, duke përmendur si shqetësim edhe tri komunat të cilat nuk i kanë dorëzuar pasqyrat vjetore financiare.

Duke përmendur faktin se komisioni ka angazhuar edhe ekspertë të jashtëm lidhur me mënyrën e vlerësimit të opinionit dhe të gjeturave nga ana e ZAP-it, Sadriu tha se ZAP-i qëndron në nivelin profesional, meqë vlerësimet janë të ngjashme.

Ndërsa, Auditori i Përgjithshëm, Lars Lage Olofsson, duke prezantuar raportin e auditimit tha se ndjehet i kënaqur nga fakti se që pas vitit 2009 është shënuar shumë progres sa i përket raportimit të jashtëm të pasqyrave vjetore financiare dhe kjo sipas tij është shumë pozitive.

ZAP ka kryer auditimin e 37 komunave gjatë vitit 2011. 34 komuna kishin dorëzuar pasqyrat vjetore financiare për vitin 2011, ndërsa 3 komuna (Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan) nuk i kanë dorëzuar. Me opinione të pakualifikuara janë 16 komuna, ndërsa me opinione të kualifikuara 18 sosh. Për tri komuna është dhënë mohim i opinionit.

Me këtë rast Olofsson tha se sa i përket menaxhimit financiar ka një zbrazëtirë dhe se ekziston një situatë ku buxheti është i pamjaftueshëm, ndërsa shtoi se më i pamjaftueshëm pritet të jetë vitin tjetër.

"Buxheti duhet të përdoret në mënyrën sa më ekonomike dhe sa më efektive' , tha me këtë rast Olofsson.

Sa i përket menaxhimit financiar ai tha se kemi dhënë 20 rekomandime të ndryshme sa i përket adresimit të rekomandimeve, ndërsa shtoi se problemi më i madh nëpër komuna është mungesa e një sistemi për raportimin e brendshëm në komuna. Ai shtoi se shumë komuna kanë mangësi të mëdha në regjistrimin e të hyrave vetanake, pronësinë, aseteve etj.

Ndërsa, Petrit Popova, Drejtor i Departamentit për Buxhet Komunal në Ministrinë e Financave, tha se një numër i vogël i komunave nuk e kanë plotësuar njësinë e auditimin, porse shtoi ai Ministria e Financave do të japë mbështetje në këtë drejtim për plotësimin e këtij kriteri, i cili drejtpërdrejtë do të ndikojë në përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

Ndërkaq, drejtori i Asociacionit të Komunave, Naim Ismajli, duke shpalosur mes tjerash komentet e kryetarëve të komunave lidhur me raportet e auditimeve, tha se ka avancime shumë pozitive në komuna. Ai shtoi se edhe raporti i auditimit prezanton se ka pasur një ngritje të mire pozitive nga viti 2009. Ai tha se komunat në këtë aspekt kanë përmirësuar menaxhimin e financave publike, por njëkohësisht edhe kanë ngritur kapacitetet e tyre profesionale në fushën e menaxhimit.

Tutje, nënkryetari i Komisionit, Ramiz Lladrovci, tha se sistemi i menaxhimit të rregullsisë ka sjellë përmirësime të mira të cilësisë së auditimit dhe raporteve të nxjerrura, respektimit të standardeve ndërkombëtare të auditimit dhe praktikave të mira evropiane . Në këtë drejtim, shtoi Lladrovci, ZAP-i ka bërë një punë të mirë duke ndihmuar etnitetet e audituara në eliminimin e shumë gabimeve të pasqyrave financiare dhe përmirësimin e cilësisë së informacionit të raportuara.
Më tej Lladrovci kërkoi sqarime nga kryetarët e komunave për faktin që nuk i përmbahen obligimit ligjor lidhur me raportimin tre mujor të pasqyrave financiare para kuvendeve komunale. Edhe anëtari i komisionit Afrim Hoti, kërkoi sqarime nga të pranishmit se sa auditorë janë përjashtuar nga komunat dhe sa është numri i auditorëve të certifikuar, duke kërkuar sqarime të mëtejmë nëse ka ndonjë plan veprimi për përmirësimin dhe tejkalimin e kësaj gjendje.

Ndërsa, anëtari i komisionit, Armend Zemaj, fillimisht tha se nuk duhet mbyllur sytë nga keq menaxhimi i parasë publike, andaj si njërin nga shqetësimet ai përmendi mes tjerash edhe obligimet e papaguara të komunave, duke shtuar se shuma e borxheve të tyre është e paparashikueshme se si do të mbulohen në të ardhmen. "Kjo tregon jo efikasitet në trajtimin e shpenzimeve të parasë publike, të hyrave dhe llogaridhënies para asamblesë komunale dhe auditorit gjeneral", tha Zemaj.

Me këtë rast folën edhe kryetarët e komunave të cilët ishin prezent në këtë takim, me ç‘rast kritikuan ZAP-in se nuk kanë marrë parasysh komentet e kryetarëve për çështje të ndryshme, ndërsa për shumë çështje që u ngritën gjatë këtij takimi, ata kritikuan disa nga ligjet.

Më tej u vlerësua se nëpër komunat e Kosovës është shënuar progres, megjithatë u kërkua se duhet të përmirësohen pikat e dobëta të cilat janë gjetur në këtë raport.

Rekomandimet e komisionit lidhur me këtë çështje të cilat do të nxirren nga komentet e këtij dëgjimi publik, do të diskutohen në seancë plenare, pas hartimit të tyre dhe miratimit në mbledhjen e komisionit.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike