Lajmet e fundit
Dita e dytë e vizitës së kryeparlamentarit Krasniqi në Egjipt
E Enjte, 20.09.2012
Kryetari i Kuvendit të Kosoves, në kuadër të vizitës në Egjipt,sot ka zhvilluar takime të ndara me liderë dhe përfaqësues të partive politike dhe ish-kandidat për President të Egjiptit në zgjedhjet e fundit presidenciale si: z. Ejmen Nur, kryetar i Partisë Al-Gad dhe ish-kandidatë për President, z. Abou Elela Mady, kryetar i Partisë Al-Wasat, z.Abdullah Al-Asha'al, ish-kandidat për President.
Në të gjitha këto takime përfaqësuesit politik falënderuan kryetarin e Kuvendit të Kosoves dhe delegacionin e tij për vizitën që po i bëjnë Egjiptit dhe shprehën gatishmërinë për të zhvilluar bashkëpunim në fusha të ndryshme.
Edhe në këto takime të delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Egjipt dhe vizitat tjera që pritet të ndodhin nga përfaqësuesit politik të Egjiptit në Kosovë, shkëmbimi i vizitave kulturore dhe profileve tjera etj., padyshim që do të kontribuojnë për njohjen e Kosovës nga Egjipti, kanë theksuar bashkëbiseduesit.
Te gjithë përfaqësuesit politik besojnë shumë që tani pas revolucionit dhe pas ndërtimit të institucioneve demokratike në Egjipt, si dhe pas miratimit të Kushtetutës, qeveria e re do të marrë vendimin për njohjen zyrtare të Kosoves.
Ata shprehën gëzimin që kanë rastin të njihen me zhvillimet e reja në Kosovë, si dhe veçuan interesimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës e njoftoi mikpritësin për zhvillimet në Kosovë si dhe për hapat e mëdhenj që ka bërë vendi në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar deri në shpalljen e pavarësisë. Ai theksoi se Kosova tani është shndërruar në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke i konsoliduar përditë e me shume institucionet demokratike.
Krasniqi i njoftoi bashkëbiseduesit arabë se me 10 shtator 2012, Grupi Ndërkombëtar Drejtues (GND) ka marre vendim për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosoves. Kryetari i Kuvendit i njoftoi mikpritësit gjithashtu, se Kosova deri më tani është njohur nga 91 vende të ndryshme të botës, anëtare të OKB-së. Presim njohje të reja nga shtetet, ka theksuar Krasniqi, duke konstatuar se njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Egjiptit, si vend kyç i botës arabe dhe botës islame, përveç se i hap rrugë thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve tanë, do të rrezatojë për njohje të reja edhe nga shtete të tjera.
Takimet u zhvilluan në frymë sinqeriteti dhe miqësie dhe u vlerësuan të dobishme për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare dhe ndërshtetërore.
Kryetari i Kuvendit po qëndron në Egjipt i shoqëruar nga nënkryetarët: Sabri Hamiti dhe Enis Kervan.