Lajmet e fundit

Grupi i Deputetëve të Rinj priti përfaqësuesit e organizatave studentore të Universitetit të Prishtinës

E Enjte, 20.09.2012




Grupi i Deputetëve të Rinj të Kuvendit të Kosovës , në kuadër të takimeve dhe aktiviteteve të shumta ,sot priti në një takim disa përfaqësues të organizatave studentore të Universitetit të Prishtinës. Temë diskutimi ishte ecuria e punës rreth draftimit të Statutit të UP-së, si dhe proceset tjera që kanë të bëjnë me interesin e studentëve në përgjithësi.

Kryetarja e Grupit të Deputetëve të Rinj, znj. Ganimete Mulsiu, theksoi nevojën për avancimin e komunikimit të vazhdueshëm mes deputetëve të rinj dhe përfaqësuesve të studentëve, që ky komunikim të mos jetë i kufizuar vetëm në takime të rralla, por të rritet gatishmëria e përfaqësuesve të studentëve për bashkëpunim më të shtuar me deputetët e rinj.

Deputeti Jeton Svirca theksoi rëndësinë e kontributit të vetë përfaqësuesve të studentëve në draftimin e Statutit, duke dhënë rekomandime, komente dhe vërejtje përkitazi me përmbajtjen e këtij dokumenti.

Në mesin e përfaqësuesve të studentëve në takim ishin të pranishëm: Selim Daku, Adnan Thaçi, Arian Ademi e Nehat Gashi, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim më të thelluar edhe në aspektin e informimit të Grupit të Deputetëve të Rinj, për aktivitetet dhe çështjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me procesin e përgjithshëm brenda Universitetit të Prishtinës.

 

 

Grupi i Deputetëve të Rinj priti përfaqësuesit e organizatave  studentore të Universitetit të Prishtinës