Lajmet e fundit

Nga vizita e kryeparlamentarit Krasniqi në Egjipt

E Mërkure, 19.09.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarët Sabri Hamiti dhe Enis Kervan, në kuadër të vizitës zyrtare në Egjipt, është pritur sot në takime të ndara nga kryetari i Këshillit Shura (Dhoma e Lartë) të Egjiptit, Ahmed Fahmy dhe personalitete të tjera egjiptiane.

Duke i uruar mirëseardhje kryetarit Krasniqi dhe delegacionit që e shoqëron, z. Fahmy theksoi se kjo vizitë është një mundësi e mirë për tu njohur me zhvillimet në të dyja vendet dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve respektive.

Kryetari Fahmy tha se Egjipti ende nuk e ka njohur Kosovën por, sipas tij, populli atë e njeh dhe shfaqi shpresën që së shpejti do të merret vendimi për njohje nga ana e qeverisë së re egjiptiane. Ai tha se vetë kjo vizitë dhe pritja zyrtare, e dëshmon këtë.

Kryetari Krasniqi, duke e falënderuar zotin Fahmy për mikpritjen, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen egjiptiane për Republikën e Kosovës. Krasniqi tha se Kosova përcjell me vëmendje të arriturat në Egjipt pas ndryshimeve dhe inkurajoi institucionet dhe popullin egjiptian për përpjekjet për ta përfunduar tranzicionin demokratik, duke besuar kështu që Egjipti do ta rikthejë rolin që e ka pasur si vend kyç i botës arabe dhe myslimane. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, kryetari Krasniqi i konsideroi miqësore, duke theksuar nevojën e forcimit të mëtejmë të tyre, në të gjitha fushat.

Kryetari Krasniqi e njoftoi mikpritësin egjiptian për zhvillimet në Kosovë, si dhe për hapat e mëdhenj që ka bërë vendi para dhe pas shpalljes së pavarësisë, duke u shndërruar kështu në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Kreu i Kuvendit, gjithashtu, e njoftoi atë edhe për procesin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Duke folur për procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, kryetari Krasniqi shtroi nevojën e njohjes edhe nga ana e Egjiptit.

"Jemi të bindur se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Egjipti, përveç që i hap rrugë thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve tanë, do të ndikojë në njohjen e Kosovës edhe nga shtetet e tjera", theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Gjatë takimit, kreu i legjislativit të Kosovës e njoftoi mikpritësin egjiptian edhe për të arriturat e Kosovës në rrugën e integrimit evropian si dhe për angazhimin e Kosovës në plotësimin e kushteve politike, ekonomike dhe ligjore që i kërkon Bashkimi Evropian. Duke folur për raportet me fqinjët dhe integrimet rajonale, Krasniqi pohoi se Kosova ka raporte të shkëlqyeshme me fqinjë, pos me Serbinë,e cila nuk e ka njohur Kosovën dhe vazhdon t'i bëjë pengesa zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar.

Gjatë takimit, kryetari Krasniqi i bëri ftesë Kryetarit të Kuvendit Shura të Egjiptit për vizitë zyrtare në Kosovë, e cila u pranua më shumë kënaqësi nga ana e z. Fahmy.

Gjatë ditës së sotme, kryetari Krasniqi është pritur në takime të ndara edhe nga ministri i Çështjeve Parlamentare, Muhamed Mahsub, Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë dhe ai për Çështje Ekonomike.

Ministri egjiptian Mahsub u shpreh i vetëdijshëm për vonesën në njohjen e Kosovës, por kërkoi që Kosova të këtë mirëkuptim për periudhën nëpër të cilën është duke kaluar Egjipti. Ai foli për angazhimet e institucioneve egjiptiane për përfundimin e tranzicionit, miratimin e Kushtetutës dhe për proceset demokratike nëpër të cilat është duke kaluar vendi dhe populli i tij, duke shfaqur shpresën që pas përfundimit të këtyre proceseve, edhe njohja e Kosovës do të vijë natyrshëm.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës e njoftoi ministrin egjiptian me situatën e përgjithshme dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, si dhe foli për rëndësinë e njohjes së pavarësisë nga Egjipti.

Gjatë takimeve me komisionet parlamentare, u shkëmbyen pikëpamje dhe informata lidhur me funksionimin e këtyre komisioneve dhe u diskutua për mundësinë e shkëmbimit të përvojave të të dyja palëve.

Parlamentarët egjiptianë shprehën kënaqësinë që patën rastin të njihen me zhvillimet e reja në Kosovë dhe shfaqën interesim për thellimin e bashkëpunimit parlamentar.

Kryeparlamentari Krasniqi falënderoi parlamentarët egjiptianë për mikpritjen dhe për qëndrimet e tyre pro njohjes se Kosovës.

 

Nga vizita e kryeparlamentarit Krasniqi në EgjiptNga vizita e kryeparlamentarit Krasniqi në EgjiptNga vizita e kryeparlamentarit Krasniqi në EgjiptNga vizita e kryeparlamentarit Krasniqi në Egjipt