Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Mërkure, 19.09.2012
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit Arben Gashi, u shqyrtua raporti plotësues i KQZ-së.
Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të komisionit raporti i KQZ-së mori dritën jeshile për procedim dhe shqyrtim në seancë plenare me vërejtje dhe rekomandime të komisionit, se raporti është i mangët, ka defekte dhe probleme në punën dhe funksionimin e KQZ-së, ndërsa u kërkua që kjo çështje të debatohet në mbledhjen e Kuvendit.
Në vijim anëtarët e komisionit shqyrtuan në parim edhe Projektligjin për provimin e jurisprudencës. Me disa vërejtje të anëtarëve të komisionit, projektligji për provimin e jurisprudencës procedohet në seancë plenare.
Më tej, anëtarët e komisionit gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, zhvilluan një diskutim të gjerë për këtë çështje. U theksua se ky projektligj nuk do të ndihmojë që të arrihet lufta kundër krimit të organizuar, madje u theksua se ligji duhet t'i kthehet qeverisë meqë është i mangët.
Para procedurës së votimit, anëtarët e komisionit paraqitën dy propozime; t'i rekomandohet seancës që të mos e aprovojë këtë ligj dhe t'i kthehet qeverisë si dhe; projektligji të procedohet në seancë plenare për shqyrtim dhe t'i rekomandohet për miratim në parim.
Meqë votat e anëtarëve të komisionit ishin të barabarta, atëherë për këtë çështje do të vendoset në seancë plenare.
Anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe projektligjin për shfuqizimin e neneve 37, 38 dhe 39 të kodit penal të Kosovës, me amendamentet e propozuara nga grupi punues. Me këtë rast u përkrah Projektligji i ri për shfuqizimin e këtyre neneve.
Ndërsa, gjatë shqyrtimit të propozimit për anëtar të Këshillit në Komisionin për Ndihmë juridike falas të propozuar nga Ministria e Drejtësisë, anëtarët e komisionit u akorduan që të kërkohet të sillen propozime të reja për anëtarë të këtij këshilli në pajtim me ligjin.
Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit formuan edhe një grup pune për Projektligjin për procedurën përmbarimore.